Shisnin ilaçe kontrabandë për të prekurit me COVID, arrestohet një tjetër administrator

Shkon në 7 numri i të arrestuarve lidhur me kontrabandimin e ilaçeve gjatë periudhës së pandemisë.

Në vijim të operacionit Përfitimi sot është arrestuar S.T 57 vjeç, administrator i një rrjeti farmaceutik. 57 vjeçari në bashkëpunim me 6 tjerët të arrestuar 3 ditë më parë kryenin kontrabandë të ilaçeve anti-Covid dhe i shisnin ndaj personave të prekur nga koronavirus.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për  veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.

Gjatë hetimeve 10 mujore, oficerët e policisë kanë kryer blerje të stimuluara në këto biznese, duke dokumentuar edhe aktivitetin e kundraligjshëm të shitjeve dhe tregtimit të ilaçeve kontrabandë.

Të arrestuarit;

Florian Marku 39 vjeç, administrator i një farmacie

Blerim Bitri 40 vjeç, administrator i një farmacie

Margarita Xhaxhiu 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë

Jani Papuli 66 vjeç, i punësuar nga Margarita Xhaxhiu

Florian Lila 40 vjeç, administrator i një farmacie

Bashkim Osmani 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vijon operacioni “Përfitimi”.

Kapet dhe vihet në pranga 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, finalizuar me datë 08.10.2021, nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 6 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe sherbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit S. T, 57 vjeç, administrator i një rrjeti farmaceutik.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. Vijon puna për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për  veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i paisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.