Pas formimit të Qeverisë me 28 nëntor 1912, u formua qeveria në krye me Ismail Qemalin e më pas me 17 dhjetor 1912 u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar,
Sot ky shërbim shënon 107 vjetorin e tij, duke kthyer përsëri në kujtesë rolin e tij të dikurshëm.
Në vendim rreth themelimit të këtij shërbimi thuhej: ”Të organizohet një shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipërisë.” Për organizimin e tij u ngarkuan persona konkretë, ndërmjet të cilëve Lef Nosi e Bajram Curri.
SHISH-i ka rol të drejtpërdrejtë në misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë:
-Ushtrimi i sovranitetit të Republikës së Shqipërisë;
-Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit territorial;
-Mbrojtja e jetës dhe e pasurisë;
-Zhvillimi i pandërprerë demokratik dhe prosperiteti ekonomik;
-Mbrojtja e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.
Shërbimi Informativ i Shtetit mbledh informacion për:
kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë kombëtare;
-ruajtjen e integritetit, të pavarësisë dhe rendit kushtetues;
– terrorizmin;
-prodhimin dhe trafikun e narkotikëve;
– prodhimin e armëve të dëmtimit në masë;
-krimet kundër mjedisit;
-krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare, etj.
Këto janë disa fakte rreth këtij shërbimi:
Arma e Sigurimit të Shtetit funksionoi për 48 vjet, 3 muaj e 11 ditë. Data e themelimit të tij u caktua 20 marsi i vitit 1943 dhe u shkri më 2 korrik të vitit 1991.
Sigurimi i Shtetit gjatë gjithë historisë së tij pati 9 drejtues. I pari ishte Koçi Xoxe, më pas të tjerët, Nesti Kerënxhi, Vaskë Koleci, Beqir Ndou, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziqishti, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe i fundit Zylyftar Ramizi.
Gjatë kohës së funksionimit të kësaj “arme” u ekzekutuan 5557 burra dhe 450 gra, 26768 persona u burgosën, 998 vdiqën burgjeve, 308 persona u çmendën nga torturat, mbi 32000 u internuan dhe u dëbuan, 7002 persona vdiqën në kampet e punës dhe 11 656 persona u arrestuan. Nga këta persona 958 u vranë pa asnjë vendim gjykate.
Themelimi i Sigurimit të Shtetit është bërë mbi bazën e modelit tipik jugosllav. Modeli i mirëfilltë ishte UDB-ja që do të thoshte Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, pak a shumë si edhe Sigurimi i Shtetit Shqiptar.
Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1960 ka pasur 30 këshilltarë rusë, gjë që tregonte se pas jugosllavëve ai kontrollohej nga rusët.
Sigurimi funksiononte nëpërmjet 3 drejtorive. Këto u konsoliduan pas vitit 1966 duke u quajtur: Drejtoria e Parë (Kundërzbulimi), Drejtoria e Dytë (Sigurimi i Udhëheqjes) dhe Drejtoria e Tretë (Zbulimi Politik).