SHBA: Rriten shpenzimet e konsumatorëve, por mund të bien përsëri

Konsumatorët amerikanë i rritën shpenzimet e tyre 5.6% në qershor, tha Departamenti i Tregëtisë të premten, pas një rritjeje rekord të shpenzimeve prej 8.5% në maj.

Megjithatë analistët thonë se efektet e rritjes së shpejtë të rasteve të koronavirusit, mund ta përmbysin këtë prirje pozitive.

“Ritmi i rimëkëmbjes ekonomike, duket të jetë ngadalësuar që kur rastet filluan të shtohen në qershor”, tha kreu i Bankës Qendrore amerikane, Jerome Powell në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Rritja e shpenzimeve u nxit nga rihapja e ekonomisë, paketat federale të pagesave dhe ndihma sociale për papunësinë.

Por me përkeqësimin e situatës në Shtetet e Bashkuara, ku ka tani mbi 4.5 milionë raste, shumë zona që filluan të rihapen në qershor, e kanë ndërprerë këtë proces. 25 shtete amerikane, si edhe kryeqyteti Uashington dhe territori i Porto Rikos, kanë njoftuar rritje rastesh gjatë dy javëve të kaluara, sipas gazetës New York Times.

Ndërkohë, pagesat e stimujve ekonomikë janë shpenzuar dhe një sistem i zgjeruar ndihme papunësie që u jepte njerëzve 600 dollarë në javë, përfundon të premten.

Pas një rritjeje me 12.1% të të ardhurave personale në prill, kryesisht falë ndihmës federale, të ardhurat personale ranë 1.1% në qershor, pas një rënieje prej 4.4% në maj, sipas raportit të Departamentit të Tregëtisë.

Raporti i së premtes erdhi një ditë pasi Departamenti njoftoi se ekonomia amerikane u tkurr me 32.9% nga prilli në qershor. Ishte rënia më e thellë e Prodhimit të Brendshëm Bruto e regjistruar që nga viti 1947 dhe tre herë më e thellë se sa në vitin 1958, viti i dytë më i keq në këtë drejtim. Rënia në aktivitetin ekonomik, u nxit nga rënia në shpenzimet e konsumatorëve, që përbën rreth 70 për qind të ekonomisë. /VOA