SHBA dënon dhunën në kufirin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit

Shtetet e Bashkuara dënuan përshkallëzimin e fundit të dhunës në kufirin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“U bëjmë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që t’i respektojnë angazhimet e tyre për armëpushim, duke ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

“Tensionet e vazhdueshme përgjatë kufirit Armeni-Azerbajxhan nënvizojnë faktin se vetëm një rezolutë gjithëpërfshirëse, që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura, mund t’i normalizojë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe të mundësojë njerëzit e rajonit të jetojnë së bashku në mënyrë paqësore”, tha Price.

Armenia tha të mërkurën se forcat e Azerbajxhanit vranë tre ushtarë të saj në kufi.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se njësitë e Forcave të Armatosura të Armenisë hapën zjarr në pozicionet e trupave azerbajxhanase, të vendosura në rajonin Kallbaxhar, duke plagosur dy ushtarë azerbajxhanas.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për rritjen e tensioneve./REL