Shantazhi-Zëdhënësi i Metës flet pas dëshmisë në Prokurori

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, ka folur për mediat pas dëshmisë në Prokurori lidhur me shantazhin që mendohet se është bërë ndaj tij më 21 nëntor për shkak të një postimi në rrjetet sociale.

Blushi u shpreh  se kanë qenë dy shtetas të ndryshëm me të cilët ka komunikuar në shqip dhe në një gjuhë tjetër.  Ai nuk ka preferuar të japë shumë të dhëna, por deklaroi se i ka vënë gjithçka në dispozicion prokurorisë.

“Ju përgjigja ftesës së prokurorisë për të dhënë më shumë sqarime lidhur me një telefonatë që kam për shkak të detyrës sime pasur mëngjesin e 21 nëntorit, pas një statusi që kam vendosur në rrjetin social ‘Facebook’. Kam pasur një telefonatë për të cilën nuk dua të flas tani por kam dhënë gjithë sqarimet e duhura dhe të nevojshme pranë organit të akuzës”, deklaroi Blushi.

Duke u pyetur për shkakun e kësaj ndodhie ai tha se këtë përgjigje e pret nga Prokuroria.

“Këtë pres të ma thotë prokuroria. Telefonuesit se nuk ka qenë një, kanë qenë dy. Kam komunikuar me dy shtetas të ndryshëm në telefon, në gjuhën shqipe dhe në një gjuhë të huaj, të cilën nuk dua ta them për momentin. Më është kërkuar të ndryshoj qëndrimin tim publik, sigurisht për shkak të detyrës. Për të gjitha këto, kam vënë në dijeni organin e akuzës, i cili besoj se do ta zbardhë këtë çështje shumë shpejt”, tha Blushi.

Ndër  të tjera ai tha se i është drejtuar prokurorisë pak orë pasi kishte marrë telefonatat. “Janë detaje që s’do doja t’i bëja publike përsa kohë kam besim të prokuroria, organi i akuzës, që do të nxjerrë në dritë të drejtën shumë shpejt. Prokuroria është njohur me të gjitha faktet. Sapo kam marrë këtë telefonatë, pas disa orësh i jam drejtuar organit të akuzës, ku i kam vënë në dijeni për çfarë ka ndodhur. Kam besim tek drejtësia. Janë çështje që i kam sqaruar shumë mirë në prokurori dhe besoj se do t’i sqaroj në një moment të dytë”, përfundoi Blushi./ apel.media