Serie A/ Roma fiton me rezultat minimal ndaj Genoas (Video)

Roma ka marrë një fitore të rëndësishme ditën e sotme ndaj Genoas, teksa ka triumfuar minimalisht 1-0. Një takim që u vendos nga goli i Gianluca Mancinit, i cili shënoi në minutën e 24’, pas një goditje me kokë të saktë në cepin e portës.

Pjesa tjetër e sfidës ishte e administruar mjaft mirë nga verdhekuqtë, të cilët nuk e diskutuan thuajse në asnjë moment fitoren. Deri në fund të 90 minutave nuk pati asnjë rast, me Romën që festoi tri pikët dhe u afrua në renditje me Atalantën.

Ekipi i Fonsecës renditet në vendin e pestë me 47 pikë, 2 më pak se sa Atalanta që do të luajë mbrëmjen e nesërme në fushën e kryesuesve të Interit. Sa i përket Genoas, ekipi i Ballardinit është në pozicion komod, në vendin e 13-të me 27 pikë.