Seriali i HBO-së “Succession” shpallet më i miri në ndarjen e 74-të të çmimeve Emmy

Seriali i HBO-së “Succession” fitoi çmimin Emmy për serialin më të mirë dramatik në ceremoninë e 74-të të çmimit më të famshëm amerikan për produksion televiziv që u mbajt në Los Angeles.

Një tjetër prodhim i HBO-së, “The White Lotus”, u shpall mini-seriali më i mirë. Yjet e serialit Jennifer Coolidge dhe Murray Bartlett fituan çmimin për aktoren dhe aktorin më të mirë në rol dytësor në një mini-serial.

“Ted Lasso”, i prodhuar nga Apple TV+, fitoi çmimin e serialit më të mirë komedi për të dytin vit radhazi, me aktorët kryesorë Jason Sudeikis dhe Brett Goldstein që për herë të dytë u shpallën aktori më i mirë në komedi dhe aktori më i mirë dytësor.

Çmimi për aktoren më të mirë në një komedi iu dha aktores Jean Smart për rolin e saj në serialin “Hacks”, kurse Zendaya u shpall aktorja më e mirë në dramë për rolin e saj në serialin “Euphoria”.

Aktori koreanojugor Lee Jung-jae fitoi çmimin Emmy për aktorin më të mirë në një dramë për rolin e tij në serialin e njohur globalisht “Squid Game”. Ndërkaq, Hwang Dong-hyuk, i cili e prodhoi, shkroi dhe drejtoi serialin “Squid Game”, fitoi çmimin Emmy për regjisorin më të mirë të një serie të zhanrit dramë.

Aktori i “Succession” Matthew Macfadyen fitoi çmimin për aktorin dytësor në një serial dramë, ndërsa Julia Garner nga “Ozark” i Netflix-it fitoi çmimin Emmy për aktoren më të mirë dytësore.