Sekuestrohen 520 kg mariuanë në Serbi, dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe kaloi përmes Kosovës

Një aksion i policisë serbe në Nish ka rezultuar me sekuestrimin e 520 kilogramëve marihuanë, të ndara në 134 qese, të cilat raportohet se janë gjetur në një automjet mallrash.

Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kjo sasi droge fillimisht kishte mbërritur në Kosovë përmes Shqipërisë, e më pas është transportuar në Serbi, ku ka qenë e destinuar të shitej.

Të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, raporton televizioni publik serb.

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, pas këtij aksioni policor u paraqit në një takim me drejtuesit e policisë serbe, duke marrë merita për “luftën e ashpër të MUP’it kundër drogës”.

Kalimi pa pengesa nëpër pikat kufitare është njëra nga pikat themelore të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të iniciativës së quajtur “Ballkani i Hapur”, të cilën e bashkëthemeluan këto tri vende.