Sejko në mbledhjet e FMN dhe BB: Rritja e çmimeve, faktor rreziku për rimëkëmbjen ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat për shkak të pandemisë u zhvilluan virtualisht mes dative 13 dhe 20 tetor.

Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se ka nisur rimëkëmbja ekonomike graduale që do të përshpejtohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2021 si dhe gjatë vitit 2022. Tashmë kjo rritje është kthyer në nivelin e saj të para goditjeve të tërmetit dhe pandemisë.

Megjithatë, Guvernatori Sejko shtoi se projeksioni i rimëkëmbjes ekonomike varet nga shumë faktorë, si ecuria e pandemisë, qëndrueshmëria e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, si dhe nga ndikimi i goditjeve aktuale të ofertës. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të ketë ndikimin e saj në ecurinë e inflacionit në Shqipëri dhe vlerësohet, sipas Guvernatorit, si një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe – potencialisht – për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike, megjithatë efekti i tij pritet të jetë kalimtar. Si gjithmonë, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të pasojave që do të ketë rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe në rast se ndikimi i saj në inflacionin vendas do të jetë më i lartë se pritjet, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të rishikojë qëndrimin e politikës monetare, duke u kujdesur që ajo të jetë gjithnjë në përputhje me objektivin e inflacionit.Guvernatori theksoi se gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ruajtur kahun stimulues të politikës monetare, në shërbim të kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, si dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë takimeve ishte konsolidimi i sistemit bankar, për të cilën Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e këtij sistemi. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi financiar dhe sektori bankar kanë vijuar të performojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rreziqeve të veprimtarisë. Në veçanti, sektori bankar zgjeroi ndjeshëm veprimtarinë dhe treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm, si dhe raporti i kredive me probleme arriti nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, 6.9% në muajin gusht 2021.

Në vijim, Guvernatori u shpreh se fokusi i politikave makroprudenciale të Bankës do të kthehet drejt zhvillimit të mëtejshëm të sistemit financiar. Përmirësimi i arkitekturës rregullatore të këtij sistemi dhe forcimi i rrjetave të sigurisë financiare është një punë e vazhdueshme që merr një vëmendje të madhe nga Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë pret një kthim në kahun konsolidues të orientimit të politikës fiskale, që do t’i shërbente si rritjes së hapësirave të reagimit ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, ashtu dhe kombinimit të duhur të normalizimit të politikave.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zbutjen e efekteve negative të dhëna nga pandemia, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Në vijim, ata nënvizuan se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të cilësuar të saktë, e cila ka mundur të sigurojë një mjedis financiar të favorshëm për rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Më tej, ata shtuan se kjo politikë ka ndihmuar që tregjet financiare të funksionojnë normalisht, kostot e financimit të sektorit publik dhe privat të jenë të ulëta, dhe bilancet e sektorit bankar të paraqiten të shëndetshme. Ata gjithashtu u shprehën se me masat e marra gjatë pandemisë nga Banka e Shqipërisë, ajo mund të konsiderohet si një model mjaft i mirë ndër bankat qendrore, i menaxhimit të rreziqeve të krijuara nga pandemia.