Sejko: Konsolidimi ka ndikuar pozitivisht sektorin bankar

Konsolidimi i sektorit bankar në dekadën e fundit e ndikuar pozitivisht performancën e sektorit bankar. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e 20-vjetorit të Autoritetit të Konkurrencës, Guvernatori i B...

Konsolidimi i sektorit bankar në dekadën e fundit e ndikuar pozitivisht performancën e sektorit bankar.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e 20-vjetorit të Autoritetit të Konkurrencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ky proces është shoqëruar me rritje të përfitueshmërisë dhe eficiencës.

“Bankat e mesme kanë përthithur bankat e vogla, duke rritur në këtë mënyrë peshën e tyre në treg dhe duke zvogëluar varësinë e sektorit bankar nga bankat e mëdha. Sot, bankat pjesëmarrëse në procesin e konsolidimit janë më aktivet në treg.

Por, konsolidimi ka pasur një ndikim mjaft pozitiv edhe në ecurinë financiare, eficiencën dhe përfitueshmërinë e sektorit bankar. Raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave të sektorit ka rënë me rreth 10 pikë përqindje ndaj vitit 2015.

Përmirësimi i eficiencës së sektorit është reflektuar edhe në treguesin e likuiditetit, i cili shënon rritje me 1.2 pikë përqindje. Gjithashtu, procesi i konsolidimit ka fuqizuar shpërndarjen në treg të avantazheve që sjell ekonomia e shkallës.

Kjo është shfaqur edhe në fuqizimin e kapitalizimit të sektorit bankar në nivelin më të lartë historik, 19%, duke reflektuar një rritje të shëndoshë dhe administrim të kujdesshëm të rreziqeve nga sektori,” tha Sejko.

Sipas tij, aktorët e rinj po shfaqen në treg në formën e shoqërive FinTech, mund të ndikojnë segmente të ndryshme të tregut financiar, si sistemet e pagesave.

Zhvillimet e reja teknologjike do të sjellin presione konkurruese mbi bankat, por do të prezantojnë njëkohësisht edhe oportunitete për vetë tregun, duke e orientuar atë më tej drejt përmirësimit të eficiencës operacionale dhe uljes së kostove.

Guvernatori tha se konkurrenca incentivon eficiencën e bizneseve në përdorimin e burimeve, duke sjellë uljen e kostove dhe rritjen e shitjeve.

“Rritja e eficiencës përkthehet në ulje të çmimeve. Ulja e çmimeve rrit: nga njëra anë, të ardhurat reale të konsumatorëve, duke nxitur kështu konsumin dhe, nga ana tjetër, motivimin e firmave për të investuar në inovacion dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe financiar.

Të gjitha së bashku kontribuojnë më tej e drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Të njëjtat efekte, si në sektorët e tjerë të ekonomisë, konkurrenca duhet t’i prodhojë edhe në sektorin financiar, duke kontribuuar në zgjerimin e gamës dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat, si dhe rritjen e aksesit në financë.

Bankat luajnë një rol kritik për ekonominë dhe rritjen ekonomike të vendit, ndaj dhe stabiliteti financiar është një parakusht për një sistem financiar të qëndrueshëm, eficient dhe mbështetës ndaj rritjes ekonomike dhe ekonomisë reale.

Shëndeti i sektorit bankar qëndron në zemër të një ekonomie funksionale tregu. Ai i kanalizon kursimet e familjeve dhe bizneseve në investime dhe në financim, duke kryer kështu funksione ndërmjetësimi që janë kritike për ekonominë reale dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit,” shtoi ai.

Ai nënvizoi se sfida për Bankën e Shqipërisë është sigurimi i shëndetit dhe i stabilitetit të sistemit financiar, por pa sakrifikuar konkurrencën dhe eficiencën e tij.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, sistemi financiar mund të jetë në gjendje të mbështesë individët, bizneset dhe përdoruesit e tjerë të shërbimeve financiare, si dhe të mbrojë depozituesit. Megjithatë, ai vuri në dukje se zbatimi i politikës së konkurrencës në sektorin bankar mbetet një çështje e komplikuar.

“Ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë, ku konkurrenca dhe disiplina e tregut mjaftojnë për arritjen e rezultateve të dëshiruara, rregullimi është një komponent i domosdoshëm për mirëfunksionimin e sektorit financiar.

Po ashtu, ekzistojnë asimetri të konsiderueshme në informacionin mbi nivelet e rrezikut ndërmjet klientëve dhe bankave. Kjo lidhet edhe me mungesën e njohurive dhe kuptimin e koncepteve financiare që redukton besimin në aftësinë e tyre për të zgjedhur produktet e duhura financiare.

Prandaj, për të krijuar kushte sa më konkurruese në treg, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një numër masash si:

(i) edukimi financiar i publikut në lidhje me alternativat financiare;

(ii) transparenca e çmimeve që mundëson krahasimin e ofertave të bankave për hua dhe depozita; dhe

(iii) regjistri i kredive për ndarjen e informacionit të besueshëm dhe të përditësuar mbi cilësinë e kredimarrësve ndërmjet bankave,” tha Guvernatori.

Sipas tij, dialogu i hapur dhe bashkëpunues midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës është një element kyç i një mjedisi rregullator që mbështet konkurrencën dhe inovacionin.