Segmenti financiar i kursim-kreditit u rrit me 6.3% vitin e kaluar

Sektori i shoqërive të kursim-kreditit u rrit me 6.3% gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve në këtë segment të tregut financiar arriti vlerën e 11.9 miliardë lekëve ose rreth 96 milionë eurove në fund të vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përmasat e këtij sektori janë rritur 8.3% me bazë vjetore.

Efektet e krizës në rritjen e këtij sektori duket u kufizuan në tremujorin e dytë të vitit. Pas gjysmës së vitit 2020, edhe ky sektor i është kthyer rritjes, në një trajektore të ngjashme me atë që ndoqi edhe sektori bankar në vend.

Ky sektor zë një peshë relativisht të vogël ndaj totalit të sektorit financiar në vend, me aktive totale sa rreth 0.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, ai është shumë i rëndësishëm për financimin e kategorive shoqërore që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët dhe bizneset e vogla në zonat rurale.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë provuar deri tani si një nga modelet më efikase të financimit të bujqësisë në Shqipëri, por edhe në vende të tjera me karakteristika të ngjashme zhvillimi. SHKK-të funksionojnë si institucione financiare me bazë anëtarësimi, kryesisht në nivel lokal, ku anëtarët mund të vendosin depozita dhe të marrin kredi.

Rreth 71.4% e aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit janë kredi të dhëna për anëtarët e tyre. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të vitit 2020 arriti në 8.5 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, subjekti më i madh në treg është Fed Invest (ish-Unioni Shqiptar Kursim-Kredi) me rreth 55% të totalit të aktiveve, i ndjekur nga Alb-Progress me pak më shumë se 10% të tregut.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të shtatorit, depozitat përbënin më shumë 73% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 8.7 miliardë lekëve, në rritje me 6% me bazë vjetore. Ndryshe nga sa ndodh në sistemin bankar, struktura e depozitave të SHKK-ve dominohet nga leku. Në fund të vitit të kaluar, 83% e depozitave totale pranë këtyre institucioneve ishin në monedhën vendase.

Aktualisht, Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një Union të tyre.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave, që prej vitit 2017. Sipas ligjit, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve. Ligji kërkon përfshirjen e tyre në skemën e administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), por ende një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.

Sipas informacionit zyrtar në faqen e ASD-së, numri i SHKK-ve të përfshira në skemën e sigurimit aktualish është vetëm shtatë. Anëatërësimi në skemën e sigurimit të depozitave është i kushtëzuar me plotësimin e disa kërkesave ligjore dhe teknike. Për t’u anëtarësuar në skemë, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, me sa duket, jo të gjitha SHKK-të kanë kapacitete të mjaftueshme për plotësimin e kritereve ligjore dhe kjo është arsyeja kryesore pse disa prej tyre ende nuk janë anëtarësuar në skemë. /Monitor