Sarandë/ I parregjistruar në QKR, gjobitet biznesi dhe 23 dasmorët

Vijojnë kontrollet nga Policia e Sarandës, për monitorimin e subjekteve që vijojnë aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje, deklaron policia.

U konstatua duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar duke qenë i parregjistruar në QKR, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative, administratori i një subjekti.

Ndëshkohen me masë administrative edhe 23 klient të subjektit.

Sekustrohen pajisjet muzikore dhe një sasi e vogël kanabisi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në vendin e quajtur “Ura e Kranesë” 1 subjekt që po vijonte organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Në vijim të veprimeve specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht administratorin e subjektit shtetasin V(D). M., 45 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” Ushtrimi pa lishencë i veprimtarive financiare”, dhe ”Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Gjithashtu, është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për administratorin e subjektit, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, dhe masa administrative 10.000, për 23 klientë, të konstatuar në subjekt.

Gjatë kontrollit të ambientit, sherbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lëndë narkotike kanabis.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.