Sadiku & Bajrami: Japim 100% kundër Moldavisë, me mbështetjen e tifozëve arrijmë objektivin ‘EURO 2024’

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, ndaj Moldavisë që do të zhvillohet më 17 qershor në shtëpinë e kuqezinjve, ‘Air Al...
Sadiku & Bajrami: Japim 100% kundër Moldavisë, me mbështetjen e tifozëve arrijmë objektivin ‘EURO 2024’
Foto: Sadiku & Bajrami: Japim 100% kundër Moldavisë, me mbështetjen e tifozëve arrijmë objektivin ‘EURO 2024’

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, ndaj Moldavisë që do të zhvillohet më 17 qershor në shtëpinë e kuqezinjve, ‘Air Albania’ dhe më pas ndaj Ishujve Faroe më 20 qershor në transfertë.

Nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit kuqezi, ekipi ka nisur përgatitjet që prej të hënës së 5 qershorit, teksa grupi po kompletohet dita-ditës. Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë, dy futbollistët e Kombëtares, Armando Sadiku dhe Adrian Bajrami dolën këtë të premte në një konferencë për media, ku iu përgjigjën edhe interesit të gazetarëve të pranishëm.

Nga rikthimi me ekipin kombëtar, te përshtypjet e para rreth ‘skuadrës së re’, Armando Sadiku nuk e fshëhu aspak kënaqësinë e ftesës së marrë nga trajneri Silvinjo. Sulmuesi kuqezi nënvizoi se nuk mungon cilësia në këtë grup, ndërsa theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të përsërisë suksesin e 2016. Sadiku nuk ngurroi të bënte një thirrje të hapur për të gjithë tifozët, të cilët janë mbështetja më e madhe e Kombëtares. Sulmuesi u shpreh se prania e tyre në stadium i jep më shumë motiv për ta fituar ndeshjen.

Rikthimi në Kombëtare dhe ftesa nga trajneri Silvinjo – E prisja që trajneri do të më thërriste. Kam biseduar disa herë me të, që prej emërimit të tij. Jam shumë i kënaqur që u riktheva dhe kisha shumë kohë që e prisja grumbullimin. Kur mora ftesën, isha shumë i lumtur.

Përshtypjet e para pas rikthimit – Kombëtarja ka shumë djem të rinj. Disa i njoh, disa janë të ri. Por, i njoh të gjithë. Është krijuar një grup shumë i mirë, me shumë cilësi. Jemi këtu të gjithë bashkë, me një qëllim. Jam shumë i kënaqur që jam sërish pjesë e Kombëtares, për të dhënë kontributin tim.

A ka kombëtarja potencial për të fituar? – Kemi shumë cilësi. Vetëm të shikosh se ku luajnë të gjithë mesfushorët që kemi në Kombëtare, është privilegj. Nuk e kemi pasur më parë. Ne sulmuesit duhet të jemi shumë të vëmendshëm në çdo aksion, që topat që do të na furnizojnë, t’i kthejmë në gola. Moldavia është një ekip i fortë dhe parashikohet që do të rrinë në mbrojtje. Do të jetë e vështirë. Por do të mundohemi që me rastet që do të kemi, t’i shfrytëzojmë. Kemi shumë besim te mesfusha jonë.

‘Heroi i EURO 2016’, a mendon Sadiku se mund të përsëritet historia? – Jam shumë i bindur dhe kam shumë besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk ka ekipe të dobëta. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit dhe nëse do të kemi edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve, ta fillojmë me këmbën e mbarë në ndeshjen e parë që kemi në shtëpi kundër Moldavisë. Besoj që do t’ia arrijmë sërish atij qëllimi dhe shpresoj që të jemi sërish protagonistë si në 2016.

Trajneri Silvinjo ju cilëson si ‘simbol’, a ndjeni më shumë përgjegjësi? – Jam shumë i lumtur dhe e vlerësoj shumë trajnerin. Kemi folur disa herë me të, më ka thënë që do të jem një lojtar i rëndësishëm dhe që do të kem një rol të rëndësishëm në ekip. Do të jem në dispozicion të tij sa herë që do të ketë nevojë për mua. Jam shumë i lumtur që më vlerëson dhe uroj që t’ia shpërblej në fushë. Duam të shkojmë sërish në Europian.

Thirrja për tifozët shqiptarë – Pa tifozët nuk do të kishim shkuar në Europian, pavarësisht mundit tonë 100%. Por pa mbështetjen e tifozëve, që na kanë pritur në çdo ndeshje, nuk do t’ia kishim arritur. I bëj thirrje të gjithë tifozëve që të na mbështesin në këtë ndeshje sepse kemi vërtetë nevojë dhe ne do t’’ia shpërblejmë në fushë. Do ta fitojmë ndeshjen dhe shpresoj që pas kësaj fitoreje, të vazhdojmë kështu dhe të kthejmë atmosferën e 2016, sepse të gjithë po e presim prej vitesh.

Konkurrencën në sulm dhe a pres të luaj ndaj Moldavisë – Konkurrenca është shumë e mirë sepse mundohesh që mos të gabosh dhe të përmirësohesh. Ato janë zgjedhjet e trajnerit, ne jemi futbollistë dhe duhet të pranojmë zgjedhjet e tij. Dhe duhet të jemi të gatshëm çdo moment që sa herë të na jepet mundësia, të japim maksimumin tonë.

Pas Sadikut, fjalën e mori Adrian Bajrami i cili foli për rikthimin në Kombëtare si fillim e për të kaluar më pas te konkurrenca në repartin e mbrojtjes. I riu vlerësoi kundërshtarët e radhës në kualifikueset e “EURO 2024”, duke theksuar se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Gjithashtu Bajrami komentoi edhe raportin me trajnerin Silvinjo dhe për të ardhmen e tij te Benfika.

Rikthimi dhe konkurrenca – “Jam shumë i lumtur të jem pjesë e Kombëtares përsëri. Është e vërtetë që kam pasur një dëmtim shumë të rëndë. Jam rikuperuar shumë mirë, jam 100 për qind, jam gati. Sa i takon konkurrencës me Gjimshitin dhe Ismajlin, është pjesë e futbollit. Jam shumë mirë dhe jam i angazhuar të bëj maksimumin për të luajtur”.

Ftesa dhe raporti me Silvinjon – “Tani kemi një trajner të ri. Kam biseduar për shumë kohë me Silvinjon, ai erdhi në Portugali të më takonte kur isha i dëmtuar. Kemi pasur një bisedë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares”.

Formacioni – “A do jem titullar apo jo mbetet për t’u parë, është zgjedhje e trajnerit. Unë do jap maksimumin në çdo stërvitje. Do japim maksimumin si kombëtare, të gjithë. Duhet të kemi besim, sidomos për faktin që luajmë në shtëpi, dhe të bëjmë maksimumin”.

Kombinimet e trajnerit në stërvitje – “Ndihemi shumë mirë. Besoj se trajneri i ka idetë e qarta, gjithmonë në stërvitje na shpjegon se çfarë kërkon prej nesh. Ne gjithmonë i bëjmë në stërvitje dhe mundohemi të bëjmë më të mirën”.

Biseda me Silvinjon – “Ai më tha të mos mërzitem shumë kur isha i dëmtuar. Unë si lojtar i ri, u mërzita, pasi ishte një dëmtim shumë i rëndë. Më tha të mos mërzitem, që më ka në planet e tij, më sheh si të ardhmen. Më dha besim”.

Moldavia e Ishujt Faroe të lehta në letër – “Për mendimin tim nuk ka skuadra të lehta, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne duhet të japim maksimumin dhe duhet të jemi 100 për qind të fokusuar për atë që do të ndodhë në fushë”.

E ardhmja – “Kam edhe dy vite kontratë te Benfika. Ëndrra ime është të jem pjesë e ekipit të parë të Benfikës. Gjithsesi nuk i duhet futbollit kurrë. Jam në Kombëtare për momentin, pas Kombëtares do të shikojmë si do të jetë e ardhmja”.