Rrugët më të rrezikshme në botë

Pademia e COVID-19 ndërpreu për muaj të tërë fluturimet me avionë si një masë parandaluese për të ndaluar përhapjen e virusit. Shumë qytetarë në të gjithë botën nisën të planifikonin udhëtimet e tyre përmes makinës, apo mjeteve të tjera të transportit.

Që nga kryqëzimet që sfidojnë vdekjen deri në tunele të frikshme, Euronews ka zgjedhur njëmbëdhjetë rrugët më të rrezikshme në botë, nëse keni planifikuar një udhëtim me makinë.

“Rruga e Vdekjes”, Bolivi

Njohur zyrtarisht si Rruga “Yungas North”, mes qytetarëve ajo quhet “Rruga e vdekjes” dhe kalon në shpatet e maleve me pyje të dendura, pa asnjë barrierë mbrojtëse përgjatë për të mbrojtur automjetet nga ndonjë aksident në humnerën 600 metra të thellë. Por, pavarësisht rreziqeve rruga e vdekjes është shumë e vizituar nga turistët.

Autostrada Karakoram, Pakistan në Kinë

Ky shteg i lashtë i Rrugës së Mëndafshit ngjitet përgjatë Qafës së Khunjerabit, i cili arrin lartësinë prej 4,700 metrash. Ndryshe ajo quhet “Lugina e Gjakut” për shkak të historisë së saj si një shënjestër e grabitësve. Ndërsa ditët e sotme në vend nuk ka asnjë sulm bandit, rruga është e mbushur me rreziqe si rrëshqitje të tokës, përmbytje apo edhe tërmete.

Rruga Big Gate e Tianmen Shan, Kinë

Kjo rrugë me 99 kthesa që shtrihet në 11 kilometra mbi shpatet e malit Tianmen në Kinë, përshkruhet shpesh nga qytetarët si një pamje që shkakton ndjesi marramendje.

Rruga “Skippers Canyon”, Zelanda e Re

Kjo rrugë konsiderohet aq e rrezikshme sa kompanitë e sigurimit të makinave nuk pranojnë të paguajnë dëmshpërblime në rast se pasagjerët planifikojnë të udhëtojnë përgjatë saj. Rruga është ndërtuar nga minatorët në vitet 1800 kur lumi Shotover shkëlqente akoma nga ari.

Rruga e Grykës Taroko, Tajvan

Kthesat e frikshme, tajfunet dhe shirat e dendur e bëjnë këtë rrugë shpesh të pabesë. Rreth 450 punëtorë thuhet se kanë vdekur gjatë ndërtimit të saj në vitet 1956-1960.

Autostrada Pan-Amerikane, nga Alaska në Argjentinë

Autostrada Pan-Amerikane është rruga më e gjatë në botë dhe përshkon 14 vende. Pika e saj më e lartë është në Cerro de la Muerte (‘Mali i Vdekjes’), në Kosta Rika. 

Pjerrësia e rrugës në këtë pikë behet akoma më e frikshme nga mjegullat e shpeshta dhe pyjet e dendur anë saj. Nëse drejtoheni për nga Ekuadori, rruga kalon edhe përgjatë një vullkani aktiv.

Rruga e kockave, Rusi

Autostrada Kolyma u ndërtua nga të burgosurit në Rusi, mijëra prej të cilëve ndërruan jetë gjatë ndërtimit të saj. Trupat e tyre u përdorën për të ndërtuar themelet e rrugës (një trup për çdo metër).  

Kalimi Stelvio, nga Italia drejt Zvicrës

Kjo rrugë është quajtur sfiduese edhe nga shoferët më me përvojë në botë. Stelvino shtrihet në Alpet e Zvicrës dhe ka pjerrtësi të larta dhe kthesa shumë të mprehta, por pamjet e mrekullueshme tërheqin mijëra vizitorë çdo vit.

Autostrada Bayburt D915, Turqi

Autostrada Bayburt D915 ka kthesa aq të ngushta sa makinave shpesh i duhet më shumë se një manovër për t’u kthyer. Rruga nuk është e mirëmbajtur dhe nuk ka barriera mbrojtëse. Ajo nuk rekomandohet për turistët për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

Rruga e Tunelit Guoliang, Kinë

Rruga e Guoliang ka një pamje antike dhe është ndërtuar në vitet 1070. Gdhendur nëpër shpatet e malit të pjerrët Taihang, pjesa më e madhe e saj është ndërtuar mes për mes maleve në formën e tuneleve.

Autostrada Hana, Hawaii

Autostrada Hana shtrihet përgjatë bregdetit të Ishujve Maui në Hawaii dhe ofron pamje përrallore të oqeanit, pyjeve të dendur, ujvarave dhe urave magjepsëse. Megjithatë, kjo rrugë është aq stresuese për t’u përshkruar sa është pagëzuar me emrin “Autostrada e Divorcit”.

Burimi: Euronews