Rruga e Arbrit/ARRSH 20 mln euro shtesë, për skarpatat


ARRSH ka hapur edhe dy tendera për supervizion punimesh

Rruga e Arbrit, megjithëse e inauguruar rreth 10 muaj më parë, vijon të gllabërojë miliona euro fonde publike. Gabimet në projektim dhe ndërtim kanë sjellë shpërdorime masive të fondeve, teksa vetëm për tunelin e Murrizit, janë akorduar rreth 20 milionë euro shtesë. Por, a mjaftojnë?! Natyrisht, nëse bëhet fjalë për abuzim, rrugët janë një gangrenë e madhe, pasi me të drejtë janë quajtur “rrugë të arta”. Koncesionin e kësaj rruge e ka fituar firma “Gjoka”, me një vlerë rreth 250 milionë euro. Kontrata e ndërtimit nisi në vitin 2018 dhe përfundon në vitin 2031, gjatë të cilit do të realizohet edhe gjithë pjesa e financimit nga qeveria.

Aktualisht, paratë janë të firmës “Gjoka”. Ndërkohë, në muajt në vijim, ARRSH-ja do të bëjë dy tendera të majmë për skarpatat. Dokumentet e dy tenderave që do të kryejë Autoriteti Rrugor Shqiptar që do t’i vijnë në ndihmë firmës “Gjoka”. Tenderi i parë është me objekt “sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Plani i Bardhë”.

Bëhet fjalë për aksin nga Ura e Vashës në drejtim të Qafës së Buallit, aks i cili nuk është prekur me dorë për vite me radhë. Aktualisht, automjetet lëvizin në aksin e vjetër Klos-Qafë e Buallit. Në dokumente shkruhet se fondi limit i skarpatave në këtë aks shkon në plot 1.170.833.333 lekë. Ose, plot 10 milionë euro.

Ndërkohë, objekti i dytë i procedurës së prokurimit do të jetë “sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Shkallën e Tujanit”. Edhe ky aks është pjesë e Rrugës së Arbrit, ndërsa bazamenti te Shkalla e Tujanit është bërë vite më parë dhe aktualisht automjetet lëvizin me vështirësi, si pasojë e gropave dhe asfaltit tepër të dobët.

Në dokumente shkruhet se fondi për këto skarpata është 1.125.000.000 lekë, ose pak më pak se 10 milionë euro. Pra, të dyja kontratat, do t’u kushtojnë shqiptarëve plot 20 milionë euro.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur edhe dy tendera për supervizion punimesh.

Në dokumentet e siguruara nga Telegaf, shkruhet se ARRSH-ja ka gati letrat për tenderin “supervizion punimesh, sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Plani i Bardhë”, me vlerë 18.333.333 lekë dhe “supervizion punimesh, sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Shkallën e Tujanit”. Tenderi i fundit ka një vlerë 16.916.667 lekë.