Rritja e normave të interesit po e ul kërkesën e individëve për kredi

Inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit po sjell gradualisht një rënie të kërkesës për kredi bankare, si në segmentin e kredisë për blerje pronash, ashtu edhe në atë konsumatore.

Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit janë shfaqur disa sinjale të para që tregojnë për ngadalësim të kredisë së këtij segmenti, sikurse vihet re nga shtrëngimi me bazë të gjerë i standardeve të kreditimit dhe rënia e kërkesës së individëve për financim.

Kjo ecuri është konfirmuar edhe nga bankat, të cilat evidentojnë rritjen e shpejtë të normave të interesit, koston e shërbimit të kredisë, shtrëngimin e përgjithshëm të kushteve të kreditimit, si dhe pritshmëritë për përkeqësimin e të ardhurave dhe aftësisë paguese, veçanërisht për individët me të ardhura më të ulëta.

Flukset tremujore të kredisë hipotekare në tremujorin e tretë ishin rreth 35% më të ulëta se një tremujor më parë, po kështu në ngadalësim ishte edhe kredia e re e disbursuar për këtë qëllim.

Edhe në tremujorin e tretë, zgjerimi i portofolit në kredi për banesa ka dominuar financimin e individëve nga bankat (rritje vjetore me 17.7%), e mbështetur nga rritja e çmimeve të banesave, tendenca e individëve për blerjen e tyre për investim dhe produktet favorizuese që bankat ofrojnë për financim.

Por, megjithatë, sinjalet nga tregu tregojnë se kredia për blerje banesash është drejt ritmeve më të ngadalta të rritjes.

Portofoli i kredisë konsumatore ka shfaqur një rritje të moderuar rreth 9%, në nivele të ngjashme me pjesën e parë të vitit. Kjo ecuri ka reflektuar si rënien e kërkesës për zgjerim të financimit për qëllime konsumi ashtu edhe shtrëngimin e kushteve të ofertës çmim dhe joçmim.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky është segmenti i parë që reflektoi rritjen e normave, pasigurinë e shtuar, si dhe tolerancën më të ulët të bankave për të marrë më shumë rrezik.

Interesi mesatar i kredisë për individë është rritur për të tretin tremujor radhazi në tremujorin e tretë. Rritja e tyre reflekton jo vetëm rritjen e normës bazë, por edhe rritjen e yield-it të bonos 12-mujore, e përdorur gjerësisht në indeksimin e kredive ndaj kësaj kategorie.

Interesat e kredisë për individët në tremujorin e tretë janë rritur. Interesi mesatar rezultoi 7.6% në tremujorin e tretë, nga 6.8% dhe 6.5% që ishte mesatarisht në dy tremujorët paraardhës. Nëse në tremujorin e mëparshëm rritja e interesave ishte margjinale, ky tremujor shënoi rritje të theksuar të interesave, si për kredinë konsumatorë ashtu dhe për atë për blerje banese.

Rritja më e spikatur në këtë tremujor ishte te kreditë konsumatorë, ku interesi i tyre rezultoi 10.1%, nga 9.2% që ishte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit. Interesat e kredisë hipotekare ndërkohë u rritën në 4.5%, nga 3.8% që ishin në gjysmën e parë të vitit.

Ndryshimet e fundit të normës bazë dhe tejçimi i fortë tek yield-et e bonove 12-mujore kanë ndikuar në rritjen e interesave për këtë kategori në muajt e fundit. Analiza sipas periudhës së fiksimit fillestar të normës së interesit evidenton rritje më të fortë të interesave në kategorinë e kredive me fiksim fillestar mbi një vit.

Pesha e kësaj kategorie te individët është më e lartë se te bizneset, ndaj edhe përçimi i ndryshimit të normës bazë dhe i pritjeve manifestohet më i shpejtë.

Kushtet e termat e kreditimit në kreditë e reja akorduar individëve janë shtrënguar për herë të parë mbas dy viteve. Bankat ngushtuan korridorin e tolerancës ndaj rrezikut në kreditimin e individëve në tremujorin e tretë, nën dritën e pasigurive të shtuara dhe kushteve makroekonomike e financiare.

Miratimi i kredive të reja për individët në këtë tremujor u bazua në praktika më të kujdesshme vlerësimi nga ana e bankave, të cilat u reflektuan në standarde, kushte e terma të shtrënguar kreditimi.

Përqasja më konservatore e bankave në kreditim u shpreh edhe në miratimin e kredive për individët në madhësi më të ulëta sesa ato të kërkuara, si edhe në shtimin e kërkesave për kolateral në raport me kredinë e marrë./Monitor