Rritja e çmimeve të produkteve në Kosovë, qytetarët të shqetësuar

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë ka ndikuar edhe në buxhetin familjar të qytetarëve. Çmimi i konsumit të përditshëm ka shënuar rritje, sipas qytetarëve në dy javët e fundit.

Telegrafi ka intervistuar disa prej tyre për të parë se a kanë ndikuar zhvillimet e fundit botërore edhe në rritjen e çmimeve të produkteve në Kosovë.

Qytetarët këto rritje i kanë shpjeguar si katastrofale për të gjithë, duke thënë se rritjet nuk mund të mbulohen me paga të tilla në nivel vendi edhe në kohë pandemie.

“Si duhet pritur ndryshe vetëm si një murtajë e madhe, në kushtet dhe rrethanat e tanishme çmimet ose është dashur të ngrihen ose të ulen e assesi të rriten, nuk e di si do t’i përballojë kjo popullatë, në këtë gjendje kaq të vështirë, kur numri i atyre që nuk kanë kushte elementare për jetë. E këtu padyshim që e vështirëson gjendjen edhe ardhja e stinës së dimrit”, tha qytetari Haki Kastrati.

E disa të tjerë thonë që kjo është rritje e çmimeve botërore, mirëpo në Kosovë nuk do të duhej të ndodhte për shkak se ka me vite që pagat dhe pensionet nuk janë ngritur.

“Sipas të gjitha gjasave ky është një trend botërorë, por Kosova është e fundit me standard jetësorë. Pensionet me vite nuk kanë lëvizë rrogat po ashtu, çmimet janë në stratosferë, nuk e di ku do të dalim dhe si do t’ia dalim”, tha një tjetër qytetar.

E përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. E për këtë gjë qytetarët që ngrohen me rrymë thonë që do ta kenë shumë të vështirë pasi që, do t’iu duhet që ta ndërrojnë komplet sistemin e ngrohjes, nga ajo me rrymë ta bëjnë me lëndë tjera djegëse, sepse nuk mund t’i përballojnë kostot.

“Unë ngrohem me nxehje qendrore, e kam sistemin me rrymë por jam i detyruar ta ndërrojë lëndën djegëse dhe ta kthej me dru me thëngjill ose me pelet, përndryshe me rrymë do të jetë e pa përballueshme me këto paralajmërime që po bëhen”, shtoi Kastrati.

Kurse një qytetare nga Ferizaj, thotë se kanë vërejtur rritje të çmimit në vaj, bukë, sheqer dhe pothuajse në të gjitha produktet e tjera që janë pjesë e sofrës shqiptare.

Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka pasur rritje të çmimeve për produktet bazë të konsumit.

ASK thotë se inflacioni i matur në muajin gusht 2021 ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7 për qind, ndërsa inflacioni për vitin 2020 ishte 0.2 për qind./ Telegraf