Rritja e çmimeve nuk e trazon tregun financiar, yield-et mbeten të ulëta

financial graph on technology abstract background represent financial crisis,financial meltdown

Rritja e çmimeve dhe shqetësimet për një valë inflacioniste për momentin nuk po e trazojnë shumë tregun financiar.

Në ankandet e fundit të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare, yield-et nuk kanë shënuar luhatje të mëdha. Të martën bonot me maturim 3-mujor u emetuan me një yield-mesatar të ponderuar prej 1%, me një rritje të lehtë nga niveli 0.93% i ankandit të mëparshëm. Ndërkohë javën e kaluar bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar në nivelin 1.77%, po aq sa në ankandin e mëparshëm. Një rritje e lehtë u shënua edhe në kuponin e obligacioneve dyvjeçare, që u rrit në 2.2% në muajin shtator, nga 2.08% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në korrik.

Më herët, në ankandin e mesit të muajit shtator, kuponi i obligacioneve me maturim 7-vjeçar të zhvilluar pësoi rënie në 4.01%, nga 4.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në titujt me maturim afatgjatë rënia e yield-eve vazhdon ende, sepse kërkesa e investitorëve për to është më e lartë. Ajo që vërehet gjatë muajit shtator është një rritje e raportit mes kërkesës dhe ofertës në ankande, që tregon likuiditet të lartë dhe interes në rritje mes agjentëve të tregut financiar për të blerë instrumentet e borxhit qeveritar.

Pas pandemisë, yield-et e letrave të borxhit të qeverisë kanë ndjekur një tendencë të përgjithshme në rënie, pavarësisht rritjes së rreziqeve rreth ekonomisë së vendit dhe performancës buxhetore. Kjo erdhi falë injektimeve të mëdha të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë, por edhe gjendjes së mirë të sektorit financiar, që deri tani nuk ka pësuar pasoja serioze nga kriza e pandemisë.

Në muajt e fundit, inflacioni po jep sinjale rritjeje, e lidhur kryesisht me shtrenjtimin e lëndëve të para dhe produkteve energjetike në tregjet ndërkombëtare, por pjesërisht me të produkteve ushqimore vendase. Në fund të muajit gusht, norma vjetor e inflacionit ishte në nivelin 2.4%, duke arritur nivelet më të larta që prej vitit 2017. Duke qenë se rritja ka ardhur kryesisht nga komponentët me volatilitet të lartë, Banka e Shqipërisë deri tani i ka qëndruar tezës se bëhet fjalë për rritje të përkohshme dhe se kthimi i mirëfilltë i inflacionit pranë objektivit prej 3% pritet të ndodhë në fund të vitit 2022.

Ditën e mërkurë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për të analizuar zhvillimet e fundit dhe për të përditësuar vendimin e politikës monetare. Mbledhja e të mërkurës do të qartësojë nëse zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në rishikimin e projeksioneve inflacioniste të bankës qendrore. Megjithatë, deri tani tregjet financiare paraqiten të qeta dhe normat e interesit mbeten në nivele të ulëta, si në tregun e financimit të borxhit të qeverisë, ashtu edhe në huadhënien për sektorin privat. Gjatë muajit gusht, norma mesatare e interesit për kreditë e reja të individëve në lekë pësoi rënie në 5.84%, nga 5.91% që kishte qenë në muajin korrik./Monitor