Rriten të ardhurat nga emigrantët, 51 mln euro më shumë se vitin e kaluar

Sipas të dhënave të fundit të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti emigrantët kanë sjellë tek të afërmit e tyre 51 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Prurjet e emigrantëve gjatë këtij tremujori arritën rreth 172 milionë euro.

Një shifër kjo që mbetet larg rikthimit të prurjeve të të ardhurave nga emigratët para pandemisë, ku në 2019, shënoheshin 185 milionë euro të sjella në Shqipëri gjatë 3 mujorit të dytë.

Një faktor që ka ndikuar në rritjen e remitancave, krahsuar me 2020-ën, lidhet me shpenzimet e shtuara të familjeve për të përballuar pasojat e Covid-19 në shëndet.

Në raport me janar-qershor të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës remitancat janë rritur me 25%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, emigrantët kanë vijuar zgjerimin e përdorimit të kanaleve formale dhe në të njëjtën kohë janë rritur edhe prurjet në cash, si rezultat i lëvizjeve të emigrantëve.

Në statistikat zyrtare thuhet se në këtë tremujor tregtia në mallra ka shënuar rritje të konsiderueshme në terma vjetorë si në importe edhe në eksporte, respektivisht 44% dhe 98%.

Të ardhurat nga eksportet arritën 338 milionë euro ose 167 milionë më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, rritje e përqendruar në eksportet e energjisë dhe metaleve bazë.

Të ardhurat nga importet kanë arritur 1 miliardë e 193 milionë euro kryesisht tek mjetet e transportit, lëndëve djegëse dhe artikujve ushqimorë.

Në të njëjtën kohë, në raport thuhet se shpenzimet për mallra farmaceutike për përballimin e situatës pandemike Covid19 në vend, vijojnë në rritje.