Rrëmbehen 17 misionarë amerikanë në Haiti, autoritetet në alarm

Raportohet se 17 misionarë të krishterë amerikanë dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë, janë rrëmbyer nga anëtarë të një bande në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince.

Rrëmbimi ndodhi kur misionarët po dilnin nga një jetimore, raporton New York Times. Grupi po mbahet nga banda e armatosur, tha një burim i sigurisë lokale për agjencinë e lajmeve AFP.

Një zëdhënës i qeverisë amerikane tha se ata ishin në dijeni për raportimin e rrëmbimit. “Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit është një nga përparësitë më të larta të Departamentit të Shtetit,” tha zëdhënësi, duke mos pranuar komente të mëtejshme.

Bandat e armatosura kanë kontrolluar zonat më të varfra të kryeqytetit të Haitit prej vitesh. Kohët e fundit ata kanë zgjeruar kontrollin e tyre në pjesë të tjera të Port-au-Prince dhe zonat e tij periferike, gjë që ka çuar në një rritje të madhe të rrëmbimeve.

Më shumë se 600 rrëmbime u regjistruan në tre tremujorët e parë të vitit 2021, krahasuar me 231 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas Qendrës për Analizë dhe Hulumtime në të Drejtat e Njeriut, një grup i shoqërisë civile me qendër në Port-au-Prince.

Dhuna është përhapur në Haiti – vendi më i varfër në Amerikë – pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moise në korrik dhe një tërmeti në gusht që vrau më shumë se 2,000 njerëz.