Rrëfimi: Si pashë djalin dhe gruan të më iknin para syve

Mes 51 viktima të tërmetit tragjik të dy javëve më parë  janë edhe dy anëtarët e familjes Cuka, nënë e bir Fatmira dhe Sardi Cuka. Ata kanë lënë pas Bujarin, kryefamiljarin dhe vajzën Egi Cuka.

Bujar Cuka  ishte në banesë në momentin që ndodhi tërmeti, por arriti të shpëtonte. Ndërsa Egi ishte tek gjyshërit në Tiranë dhe mundi t’i shpëtonte termetit vrastar. Bujari mes lotësh tregon momentet e fundit me gruan dhe djalin dhe si arriti të dilte i gjallë, pasi pallati u shemb mbi ta kur ai hapi derën për të dalë jashtë.

“Unë jam Bujar Cuka , ra tërmeti i parë djali dhe gruaja qëndroi me djalin. Ne ishim zgjuar më pas, kam hapur televizorin, pamë tërmetin e parë që ka rënë, e fika televizorin ika nga dhoma, u ula në krevat mora telefonin mbështetur, atje ra tërmeti i fuqishëm. Hapa derën, ra paneli zuri gruan, djalin nuk e pashë, u shemb korridori, bërtisja emrat e fëmijëve. Dera nuk u hap, ishte errësirë, kishte pirg tullash u hodha nga kati i dytë. Unë nuk i kam parë as viktimat, nuk dua t’i kujtoj ashtu, dua t’i kujtoj të lumtur. Djalin tim e gjetën të përqafuar me gruan. Nuk kam forcë të flas, jam i shkatërruar. Nuk ka ardhur njeri të na pyesi” thotë i tronditur Bujari./ apel.media