Zyrat e aplikimit për mjete identifikimi në Vlorë, Berat dhe Lushnje kanë qenë të tejmbushura. Fluksi është shtuar me ardhjen e emigrantëve të cilëve iu ka skaduar pasaporta apo karta e identitetit. Mesa duket qytetarët janë revoltuar duke pritur për shumë kohë në radhë dhe kanë kërkuar të merren masa për të shmangur këtë pritje.
Në zyrat e aplikimit për pasaporta dhe kartë identiteti në Vlorë ka një fluks të shtuar të qytetarëve që duan të marrin shërbime. Qindra qytetarë nga Vlora dhe fshatrat e saj prej disa ditësh presin radhën për të përfunduar aplikimin.
Në shumicën e rasteve atyre u duhet që të rikthehen disa herë në ditë për të marrë një numër aplikimi. Disa detyrohen të shkojnë që herët në mëngjes për të ruajtur një radhë. Fluksi është shtuar dhe me ardhjen e emigrantëve. Qytetarët ankohen dhe bëjnë thirrje që të merren masa për shtimin e sporteleve të aplikimit. “Unë kam katër ditë që po pres, kam që në orën 8 sot dhe asgjë s’po bëhet”, tha një qytetar
“Kam 2 ditë dhe kam hedhur me më shumë lek që të më dalë më shpejt dhe akoma se kemi marrë”, tha një tjetër qytetare në Vlorë.
E njëjta gjë po ndodh edhe në qytetin e Beratit dhe Lushnjes. Shume qytetarë janë në radhë për të aplikuar për pasaportë. Në Lushnjë punohet vetëm me një sportel kjo ka sjellë edhe më shumë mbingarkesë.
“Kam që në 4 të mëngjesit që po presim dhe nuk na japin as numra, vetëm një sportel është. Jemi në kurbet na mbarojnë dokumentet. Kështu do presim ne në radhë? Duhet një zgjidhje” thanë qytetarët.
Dhjetori është afati i fundit për përdorimin e pasaportave dhe kartave të identitetit për mijëra shqiptarë. Që në qershor Ministria e Brendshme ka bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të bëjnë sa më parë aplikimet për mjete identifikimi në mënyrë që të mos lihen për ditët e fundit./apel.media