Robotë humanoidë në hotelin për pacientët me koronavirusin

Qyteti i Tokios ka filluar të vendosë robotë humanoidë në hotelet që po merr për të strehuar personat e infektuar nga koronavirusi. Stafi njerëzor në godinë do të jetë i përbërë nga doktorë dhe infermiere, ndërsa personat që do të qëndrojnë aty do të jenë ata me simptoma të lehta, ose pa simptoma fare.

“Pepper” është bërë gati për të përshëndetur Guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike.

Roboti humanoid është pjesë e një sistemi të teknologjisë së lartë që mundëson kujdesin për pacientët me COVID-19 në këtë hotel.

Qeveria lokale e Tokios ka marrë përsipër edhe dy hotele të tjera për të strehuar pacientët e infektuar me koronavirusin, duke arritur një kapacitet prej 2.800 dhomash.

Guvernatorja Koike erdhi për të parë një demonstrim të punës që po bëhet. Stafi në godinë do të jetë i përbërë nga doktorë dhe infermiere, ndërsa personat që do të qëndrojnë aty do të jenë ata me simptoma të lehta, ose pa simptoma fare. Në këtë mënyrë do të lihen shtretërit në spitale për rastet më serioze.

Janë instaluar paisje të teknologjisë së lartë për të monitoruar gjendjen e secilit pacient.

“Donim në veçanti që qytetarët e Tokios të shohin hapjen e këtyre hoteleve dhe të kuptojnë meritat e qëndrimit në një hotel për t’u shëruar, dhe të ndjehen të sigurt për procesin e rimëkëmbjes së tyre. Mjekët dhe infermierët do të ndodhen këtu në çdo kohë, kështu që në krahasim me të qëndruarin në shtëpi, ka më shumë siguri”, shpjegon Naoko Kubota, Drejtore e Lartë për Planifikimin, në Byronë e Çështjeve të Përgjithshme të Qeverisjes Metropolitane të Tokios.

Dy robotë gjithashtu do të veprojnë në këto ambiente për herë të parë.

Njëri është roboti Pepper, tashmë i njohur në Japoni, i ngarkuar me përshëndetjen e njerëzve me mesazhe pozitive.

Roboti tjetër është një robot pastrimi i cili do të funksionojë në lobet e hotelit – të përcaktuara si zona të kuqe – për të zvogëluar hyrjen e stafit në ato zona. Roboti ka aftësinë të shmangë pengesat dhe njerëzit.

“Duam të përdorim teknologjinë e robotikës, për të cilën Japonia është e njohur, që të ofrojmë një ambient të rehatshëm dhe të këndshëm në hotel. Për shembull, ne po prezantojmë një robot pastrimi këtë herë për hollin që zakonisht do të konsiderohej një Zonë e Kuqe. Do t’i provojmë këta robotë pastrimi në vend të njerëzve për pastrimin e kësaj zone”, thotë Naoko Kubota.

Lobi gjithashtu do t’u mundësojë pacientëve të hyjnë në aplikacionet e menaxhimit shëndetësor në kompjutera dhe tabletë për të regjistruar temperaturat e tyre dhe për të verifikuar simptomat.

Për shumicën e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton simptoma të buta ose të moderuara, të tilla si ethe dhe kollë, që pastrohen në dy deri në tre javë. Për disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, përfshirë pneumoni, dhe mund të çojë në vdekje.

Shumica e njerëzve shërohen plotësisht./VOA