Rey Manaj, tjetër gol me Barcelonën. Vendos në dilemë trajnerin Koeman

Pas tripletës në miqësoren e kaluar, kundër, Nàstic, Rey Manaj ka shënuar sërish sot, në ndeshjen e radhës testuese me Barcelonën, në përgatitjet parasezonale. Ka qenë minuta e 24-t, kur sulmuesi ynë kuqezi ka dyfishuar rezultatin ndaj Girona, në miqësoren e luajtur në “Estadi Johan Cruyff”. Krosimin në gjysmëlartësi të Mortimer, 24-vjeçari shqiptar e devijoi me finesë në rrjetën kundërshtare, me topin që kaloi mes këmbëve të portierit Juan Carlos.
Më pas, gjatë pjesës së parë, Manaj u zëvendësua, pas goditjes që mori në kokë.

Klubi katalanas ka lëshuar një deklaratë mbi gjendjen e tij shëndetësore, pas testeve mjekësore: “Lojtari është zëvendësuar si një masë paraprake për shkak të një dhimbje koke”.
Rey Manaj u zëvendësua nga Memphis Depay, i cili debutoi kësisoji, edhe pse jozyrtarisht, me ekipin e parë të Ronald Koeman. Holandezi shënoi edhe gol në fitoren 3-1 të blaugranave.