Rekord pozitiv në Maqedoninë e Veriut/ Regjistrohen 268 persona të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit, Maqedonia e Veriut regjistroi 268 të shëruar nga Covid-19, që është shifra më e lartë e konfirmuar në një ditë në këtë vend, që nga shpallja e pandemisë në mes të marsit.

Numri më i madh i të shëruarve nga Covid-19 u regjistrua në Shkup: 105 raste, pastaj në Tetovë 23 raste, në Strugë 22 raste dhe në qytete të tjera numër më i vogël.

Me shifrat e fundit, numri i personave të shëruar nga koronavirusi arrin në 5,931, nga 10,503 sa është totali i të infektuarve.

Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit u krye numër rekord i testeve, gjithsej 1,971, që rezultuan me 188 raste të reja pozitive me koronavirus.

Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë dhe Strugë.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit u regjistruan edhe pesë viktima nga koronavirusi: dy nga Tetova dhe nga një në Shkup, Manastir dhe Kumanovë.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 476 – shumica prej tyre apo rreth 200 janë në Shkup.

Kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive në Maqedoninë e Veriut, Zharko Karaxhoski, tha se institucionet shëndetësore po përgatisin rritjen e mëtejme të kapaciteteve për testim të popullatës në 16 qytete.

Kjo, sipas tij, bëhet me qëllim që kapacitetet mjekësore të jenë sa më të përgatitura për ndonjë valë të mundshme të virusit në vjeshtë.

Në Maqedoninë e Veriut janë testuar gjithsej 99,615 persona.