Reforma në Drejtësi, ambasada e SHBA: Nuk është e lehtë apo e përsosur, mirënjohës për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka mbledhur përfaqësues të shtetit shqiptar që kanë punuar dhe kontribuuar për reformën në drejtësi. Në një postim në “Facebook” ambasada e SHBA bën një rezyme të 5 viteve të kësaj reforme, duke theksuar se progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim.

Më tej ajo deklaron se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.

Postimi:
🇦🇱️ | Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.

foto galeri