Reagon sërish Lefter Alla për kokainën: Jam nisur drejt Tiranës, do i ngre padi Salianjit

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka reaguar sërish pas denoncimit të Partisë Demokratike se ai shfaqej në një video duke konsumuar kokainë. Ndërkohë që edhe SPAK ka nisur hetimet për këtë rast.

Lefter Alla në një postim në facebook shkruan “Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare”, shkruan ai në facebook.

Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë.

Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës“, vazhdon më tej reagimi i Allës.