Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi/ Kurti takon Escobar: Marrëveshja të zbatohet sa më shpejt!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bisedon me të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me raundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Sipas zyrës së Kurtit, kryeministri kosovar diskutoi me të “mbi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj”.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij për t’u angazhuar aktivisht në takimin e nivelit të lartë politik të së enjtes në Bruksel, teksa falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën”, u tha në njoftim.

Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet rundi i ri i dialogut në nivel të lartë. Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që prej shpërthimit të tensioneve në veri të Kosovës gjatë muajit maj.