Rasti i Prokurorit Arjan Ndoj/ Rama paralajmëron ligjin special

Gjatë takimit me qytetarët në kuadër të programit të “bashkëqeverisjes”, kryeministri Edi Rama, foli për problemet e qytetarëve në gjykatat e vendit.

Sipas tij, organizata më e rrezikshme kriminale janë ata që janë veshur me petkun e ligjit dhe janë lëshuar “Kap ca T’kapësh”.

Më tej ai shtoi se po bëhen gati për një ligj special për të marrë masa ndaj anëtarëve të krimit.

“Sot vijon të jetë e vështirë dhe e pamundur të shkosh në gjykatë për të zgjidhur problemin. Sot jemi në kushtet kur ka nisur pastrimi i sistemit të drejtësisë. Disa nga “Xhakajdurët” që janë në sistem dhe që e dinë se nuk e kalojnë  dot vetingun, janë lëshuar “Kap ca T’kapësh” (KÇK). KÇK-ja është organizata më e rrezikshme kriminale që vepron në Shqipëri, sepse është e veshur me petkun e ligjit dhe funksionon si një organizatë e grabitëseve ordinerë. Për KCK po bëhemi gati, me një ligj special për ta çuar luftën në një nivel të pa ndodhur më parë, ne do të çojmë në parlament edhe disa masa speciale ndaj anëtarëve të krimit dhe ndaj KCK. Të jeni të sigurt se më herët se vonë, të gjithë do të shohin në praktikë dhe jo në fjalime, rezultatet e një ofensive frontale që qeveria do të ndërmarrë ndaj krimit, qoftë dhe ndaj KCK”,- tha kryeministri Rama./apel.media