Raporti i Qëndresës Qytetare/ Qeveria nuk mbajti premtimet për studentët

Protesta e dhjetorit 2018 ishte shfaqja më masive e revoltës studentore në historinë e tranzicionit. Kjo protestë arriti që në mungesë të drejtimit apo orientimit nga ndonjë subjekt politik apo shoqëror, t’i paraqesë qartë dhe t’i imponohet qeverisë me 8 kërkesa që lidheshin me reduktimin e tarifave, transparencën e shpenzimeve, përfaqësimin studentor, performancën në mësimdhënie dhe vetingun e titujve akademikë. Si rezultat i masivitetit, qëndrueshmërisë dhe kërkesave të drejta, studentët iu imponuan qeverisë dhe kryeministrit duke i detyruar të publikojnë “Paktin për Universitetin” 1 , të shkarkojnë nga detyra Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj.Lindita Nikolla, si dhe të zëvendësojnë të gjithë përfaqësuesit e Ministrisë në Bordet e Administrimit në universitetet publike në vend.

“Pakti për Universitetin”, kjo paketë premtimesh dhe masash u shpall nga kryeministri në 19 Dhjetor 2018 në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe më pas u konkretizua në 11 VKM dhe 4 Urdhëra të Kryeministrit në 26 dhjetor 2018, akte të cilat synuan të adresonin një pjesë të 8 kërkesave të formuluara dhe kërkuara nga studentët gjatë protestës.

Qëndresa Qytetare nëpërmjet nismës “Arsimi në Fokus” me mbështetjen e Qendrës Olof Palme, monitoroi implementimin e “Paktit për Universitetin” duke përfshirë çdo akt, afat, vendim apo iniciativë të adresuar në këtë dokument politikash.

Paktit për Universitetin nuk reflektoi tërësisht 8 kërkesat e studentëve, qeveria nuk respektoi afatet e shumicës së premtimeve të vendosura vetë dhe përfshirja e studentëve në këtë proçes rezultoi e ulët.

  • Procesi i zgjedhjes nga studentët i anëtarëve përfaqësues të MASR në Bordet e Administrimit tejkaloi afatet e parashikaura, u shoqëruan me mungesë transparence dhe pjesëmarrje të ulët në votime (11% në UT, 1.33 % në UMT). MASR skualifikoi kandidatët pasi ata u votëbesuan nga studentët dhe në disa raste përzgjodhi kandidatët jo në bazë të votave të studentëve por në bazë të Kodit të Procedurave Administrative.
  • Nga 35 anëtarët e emëruar nga MASR, 18 janë funksionarë të administratës publike, 8 nga bota akademike, 6 nga shoqëria civile dhe sektori privat dhe 3 nga fusha e gazetarisë. Vetëm 13 prej tyre janë figura publike ndërsa 22 anëtarë janë persona me profil të ulet sa i përkët prezencës dhe informacionit që gjendet për ta në publik.
  • Nuk u mbajt premtimi për nisjen e procesit të rishikimit të titujve shkencorë dhe kontrollit antiplagjiaturë në muajin Qershor 2019 sipas VKM nr. 777. Pas mbarimit të afatit të Paktit për Universitetin rezultojnë 0 tituj të rishikuar, pavarësisht se sipas SKS 34% e studentëve shprehen se pedagogët e tyre janë jo kopetente për shpjegimin e njohurive.
  • Biblioteka dixhitale kushtoi 687.825 USD por studentët nuk arrijnë të gjejnë informacion që përkon me kurrikulat e tyre mësimore dhe nuk aksesojnë asnjë libër apo material shkencor në gjuhën shqipe siç edhe u premtua në Paktin për Universitetin.
  • Megjithëse MASR është institucioni përgjegjës, buxheti i këtij institucioni në dispozicion të Kartës së Studentit për vitin 2019 është 0 lek, ndërkohë mbi 20.000 studentë në Tiranë janë pajisur me Kartën e Studentit deri në fillim të muajit nëntor si edhe ka nisur procesi i shpërndarjes në rrethe.
  • Sondzhi Kombëtar i Studentëve jo vetëm që nuk përfundoi në afatet e parashikuara, porn ë raport me publikun dhe studentët rezultatet e tij nuk janë bërë ende publike dhe nuk arriti të krijojë dosje vlerësimi për pedagogët e IAL-ve publike.
  • Portali U-transparenca.al përmban të dhëna zyrtare mbi CV-të e pedagogëve dhe emrat e Anëtarëve të Bordeve por nuk përmban Vendimet e zbardhura të Bordeve, Prokurimet dhe kontratat publike dhe qartësi të treguesve financairë për studentët.
  • Brenda muajit Maj 2019 duhej të krijohej Fondi i Solidaritetit për arsimin e lartë, ku 20 % e fondit të përgjegjësisë sociale të koorporatave që gëzojnë kontrata koncesionare të shkojnë për financimin e Arsimit të Lartë, por nuk ka asnjë shifër ose dokument publik që provon krijimin e Fondit të Solidaritetit dhe investimin e tij në arsimin e lartë.