Raporti i OKB-së: 16 % e grave në Shqipëri ndihen më pak të sigurta, koronavirusi ka rritur dhunën

Sipas një raporti të ri të OKB-së, pandemia e COVID-19 e ka keqësuar gjendjen e sigurisë së grave në shtëpitë e tyre dhe në hapësirat publike. Raporti i përgatitur nga zyra e Kombeve të Bashkuara për gratë, UN Women, arrin në përfundimin se 1 ndër 2 gra pranon se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë.

Raporti tregon se ndjenja e sigurisë tek gratë është tkurrur, duke sjellë pasoja të rënda negative për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Raporti vjen në prag të fillimit të 16 ditëve aktivizmi global kundër dhunës me bazë gjinore, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.

Drejtoresha Ekzekutive e UN Women, Sima Bahous thotë se kriza globale e dhunës kundër grave rëndohet kur ka kriza të tjera.

“Konflikti, fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, pasiguria ushqimore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, të gjitha kontribuojnë që gratë dhe vajzat të jetojnë me një ndjesi rreziku, madje edhe në shtëpitë, lagjet ose komunitetet e tyre”, tha ajo.

Një efekt të tillë keqësues pati edhe pandemia e koronavirusit.

“Pandemia e COVID-19, që bëri të nevojshëm izolimin dhe distancimin shoqëror, mundësoi një pandemi të dytë në hije të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ku ato shpesh u gjendën në izolim me abuzuesit e tyre. Të dhënat tona të reja nënvizojnë urgjencën e përpjekjeve të bashkërenduara për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje,” tha zonja Bahous.

Raporti i ri është bazuar në të dhënat e anketave nga 13 vende. Gratë që raportuan se kishin përjetuar ose njihnin dikë që kishte pësuar dhunë, kishin 1.3 herë më shumë gjasa të thoshin se u ishte shtuar stresi mendor dhe emocional sesa gratë e tjera.

Sipas përfundimeve të raportit rreth 1 në 4 gra ndihen më pak të sigurta në shtëpi, ndërkohë që konflikti ekzistues është rritur brenda familjeve që kur filloi nga pandemia.

21 për qind e grave përmendën abuzimin fizik si një nga arsyet që i bënte të ndjeheshin të pasigurta në shtëpi.

Jashtë shtëpive të tyre, gratë po ndihen më të ekspozuara ndaj dhunës, me 40% të të anketuarave që thonë se ndihen më pak të sigurta kur ecin vetëm natën që nga fillimi i pandemisë.

Rreth 3 në 5 gra mendojnë gjithashtu se ngacmimi seksual në hapësirat publike është përkeqësuar gjatë COVID-19.

Faktorët rëndues socio-ekonomikë si vështirësitë financiare, punësimi, pasiguria ushqimore dhe marrëdhëniet familjare patën një ndikim të madh jo vetëm tek ndjenja e sigurisë apo tek dhuna, por edhe tek mirëqenia e grave në përgjithësi.

Megjithatë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres thotë se frenimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është i mundur.

“Dhuna ndaj grave nuk është e pashmangshme. Politikat dhe programet e duhura sjellin rezultate. Kjo do të thotë strategji gjithëpërfshirëse dhe afatgjata që të trajtojnë shkaqet themelore të dhunës, mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave dhe nxisin lëvizje të forta dhe autonome për të drejtat e grave. Ndryshimi është i mundur dhe tani është koha për të dyfishuar përpjekjet tona në mënyrë që së bashku, të mund ta eliminojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave deri në vitin 2030”, tha zoti Guterres.

Shifrat për Shqipërinë
Shqipëria ishte një nga 13 vendet e përfshira në raport. 29 për qind e të anketuarave thanë se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë.

16 për qind e grave në Shqipëri ndihen më pak të sigurta në shtëpi, ndërsa janë rënduar konfliktet brenda familjeve.

5 për qind përjetuan dhunë fizike ose njohin dikë që është dhunuar fizikisht që kur filloi pandemia. 10 për qind përjetuan ose njohin dikë që përjetoi dhunë verbale. 8 për qind përjetuan ngacmime seksuale.

Por megjithëse këto shifra janë më të ulëta sesa ato të disa vendeve të tjera, më shumë se gjysma e grave (53 për qind) raportuan se kanë përjetuar ose njohin dikë që ka përjetuar një formë dhune në përgjithësi.

22 % e të anketuarave në Shqipëri thonë se ndihen më pak të sigurta kur ecin vetëm natën që nga fillimi i pandemisë.

45 % raportojnë se shëndeti i tyre mendor dhe emocional është keqësuar gjatë pandemisë.

Dhe 62 për qind e të anketuarave në Shqipëri thotë se ndjehet të pasigurta në shtëpi dhe njëkohësisht kanë pasiguri ushqimore./VOA