Raporti i ODIHR, Balla: Vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri në 30 vite

Raporti më pozitiv i dhënë ndonjëherë në Shqipëri në këto 30 vite. Kështu e cilësoi raportin e ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend.

Sipas Ballës e vetmja forcë e goditur nga votat e pavlefshme është PS edhe do kishte 78 mandate, jo 74.

“Të biesh dakord është art dhe natyrshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore ka ardhur si nevojë e mosqartësiëë e shprehjes nga ligjvënësi në atë që ka të bëjë me ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe natyrshëm shpesh herë vepron dhe tradita parlamentare e cila ka bërë të mundur të prevalojë nevoja e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Por ky parlament ka dhe eksperiencë shumë të këqija në ngritjen e komisioneve hetimore.
Në raportin përfundimtar të ODIHR thuhet shumë qartë që në zgjedhjet e 25 prillit zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve që bënë fushatë të lirë. Aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje. Vlerësimi më pozitiv dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR këto 30 vite. Meritë e padiskutueshme për qytetarët shqiptarë që ushtruan të drejtën e votës. Nëse doni të vazhdojmë me argumentet e ODIHR për sa i takon administrimit të procesi zgjedhor, në raport përshkruhet e gjithë puna e KQZ-së. Ndoshta duhet të biem dakord që mënyra e hartimit të fletës së votimit nuk qe ajo që duhet, fakti që kemi 100 mijë vota të pavlefshme, kryesisht për shkak të ngatërrimit të votës për subjektin me votën për kandidatin. E vetmja forcë e goditur është PS edhe do kishte 78 mandate, jo 74 në rast se me dëshirën e mirë për ta çuar tek 12, çuan votën gabimisht në subjekte të vogla zgjedhore. Do të kishim një mandat më shumë në Elbasan, edhe në Dibër, pse jo dhe në Shkodër, por kjo është një çështje tjetër që natyrshëm është mbyllur. Ajo që na bie mbi supe është çështja që ka të bëjë me adresimin e rekomandimeve të ODIHR. Edhe puna e komisionit hetimor do ketë vlerë të veçantë, rekomandimet për legjislacionin. Le të jetë puna e këtij komisioni një model shumë i mirë, binarët e të cilit të shërbejnë edhe për komisioni ne posaçëm të reformës zgjedhore. Ju PD penguat votën e emigrantëve dhe kërkuat një javë kohë, pastaj 2 javë, pastaj 4 javë kohë për sa i përket aktit që duhet të nxirrte enti rregullator pranë KQZ dhe në fund nuk kthyer fare përgjigje. Të fillojmë punën që sot që në zgjedhjet e prillit 2025 të votojnë dhe emigrantët”, tha Balla.