Duket se Edi Rama po e thellon akoma më shumë konfliktin e pashpallur me autoritetet kosovare. Pas sulmit që u bëri këtyre të fundit gjatë takimit të Ohrit, kreu i qeverisë shqiptare mendohet se i ka dhënë “lejë” kryeministrit serb për të përfaqësuar interesat e shteteve ballkanike para presidentit të Francës.
Faktin që Vuçic e ka marrë këtë autorizim nga kreu i qeverisë shqiptare, e ka treguar vetë ai për gazetën gjermane Der Spiegel, ku ndër të tjera ai shprehet:
“Unë isha me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Ohrit dhe ne u pajtuam pothuaj në të gjitha pikat, përfshirë edhe atë se unë do të flas me Macronin në emër të secilit, gjë që edhe e kam bërë javën e kaluar”.
Me sa dihet, Vuçiç nuk pati shumë mundësi për të diskutuar me Macron mbi fatin e vendeve të ballkanit si dhe për shengenin ballkanik, pasi ky i fundit kërkoi që në një projekt të tillë të përfshihej dhe Kosova.
Me sa duket Vuçiç ka ditur të përdorë autorizimin e dhënë nga Rama për të folur edhe mbi interesat e Serbisë të cilat ky projekt i mbulon më së miri. Për gazetën gjermane, ai ndër të tjera u shpreh:
“Minishengeni është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur rajonit në 30 vitet e fundit. Jo më luftë, jo më masakra, në vend të kësaj ai është një lloj Skandinavie për të varfrit. Me të ne do të bëhemi një far motori i rritjes ekonomike për të gjithë Evropën”.
Ndërsa sa i përket Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në shengenin ballkanik ai u shpreh se pavarësisht asaj që po ndodh në Kosovë, ata ende nuk e shohin këtë të fundit si shtet.
“Kosovarët nuk po e dinë se çfarë po duan. Albin Kurti, që me gjasë do të bëhet lideri i tyre i ri, tingëllon sikur do të bëhet lider i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim kështu. Por ne megjithatë mund të bëjmë biznes të mirë bashkë”, ka thënë Vuçiç./ apel.media