Rama: Nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar do të votoja “po”

Kryeministri, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, është pyetur se si do të votonte nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar.

Rama e ka quajtur provokim pyetjen nga gazetari kosovar, por është përgjigjur se nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar, ai do të votonte hapur “po”.

“Kjo është pyetje apo është “provokacja” sepse unë s’kuptoj. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur “po””, ka deklaruar Rama.