Rama flet për dhunën ndaj grave/ “Paketë kundër burrave dhunues që i kanë shpëtuar drejtësisë”

Në prezantimin e paketës së ashtuquajtur KÇK, (Kap ç’të kapësh), Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për dhunën ndaj grave.

Sipas tij drejtësia ka falur burrat dhunues, por kjo që nuk do të vazhdojë më.

“Janë rrëqethëse dhe jo të pakta rastet kur dhuna ndaj grave ka kaluar përmes sallës së gjyqit dhe dhunuesit janë shpallur të pafajshëm.

Ashtu sikundër janë rrëqethëse edhe rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtët persona të cilët kanë dalë të pafajshëm përpara gjyqit dhe janë rikthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës. Ky është një aspekt që prek të drejtën në këtë vend, do të adresohet me siguri me shumë drejtësi dhe efikasitet nga sistemi i ri i drejtësisë.

Një grup kolegesh deputete së bashku me ministren e drejtësisë janë angazhuar në një proces pune për të rishikuar legjislacionin, për të ndërmarrë një hap domethënës në adresimin e dhunës ndaj grave, jo vetëm në aspektin e masave por edhe të mbështetjes ndaj tyre.

Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur edhe projektin e një amnistie të fundvitit që do të adresojë nevojën për të lehtësuar gratë e dhunuara si dhe më të moshuarit bashkë me to”,-u shpreh Rama./apel.media