Qeveria ‘Rama 3’ nesër në Kuvend, 5 shtylla në programin e mandatit të tretë

Kryeministri Rama do të prezantojë të enjten në Kuvend kabinetin qeveritar pas marrjes së dekretit presidencial, si dhe programin politik. Në dokumentin e hartuar nga Rama për mandatin 2021-2025, janë 5 shtyllat ku do të mbështetet qeverisja.

Rimëkëmbja ekonomike nga pandemia dhe tërmeti, për këtë të fundit afati i përfundimit të programit të rindërtimit vendoset pranvera e vitit te ardhshëm. Mirëqenie për të gjithë, modernizim për zhvillim të sektorëve kyçë, familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen; dhe shtylla e 5 diplomacia Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë. Pikërisht në politikën e jashtme objektivat kryesore pas bashkëpunimit me aleatët strategjikë SHBA dhe BE, është Kosova ajo që do të marrë vëmendjen kryesore.

“Forcimi dhe faktorizimi sa më shumë të jetë e mundur i pozicionit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare; Angazhohemi në përforcimin e bashkëpunimit rajonal përmes Open Ballkan dhe paketës së ndërlidhjes dhe investimeve të Procesit të Berlinit. Lobojmë më fuqimisht për njohjen e shpejtë të Kosovës nga të gjithë vendet e botës dhe për pranimin e saj si një vend me të drejta të plota në OKB. Takimi i përvitshëm i qeverive Shqipëri-Kosovë zgjerohet për të përfshirë në tryezë edhe pakicat shqiptare në të gjithë rajonin”.

Turizmi është sektori ku do të fokusohen energjitë për të rimëkëmbur ekonominë duke synuar ta kthejë Shqipërinë në zgjedhjen e parë si destinacion turistik për rajonin. Synimi tjetër është kthimi i vendit në eksportues neto i energjisë dhe rritja e eksporteve në bujqësi.

Sa i takon ekonomisë në 4 vitet e mandatit të tretë synohet rritje ekonomike 4.5 përqind që do të mundësojë dhe rritjen e pagave më të madhe në këto vitet e fundit në nivel kombëtar.

“Konsolidim i përshpejtuar fiskal duke synuar borxh nën 60% në fund të mandatit. Rrisim të ardhurat e disponueshme me 20% deri në fund të mandatit. Rrisim pagën mesatare mujore bruto me 25% në mënyrë graduale deri në fund të mandatit. Rrisim dyshemenë për pagat e pa-tatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj. Mbështesim shtresën e mesme, duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% do të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200 mijë lekë, dhe më tej, brenda afat të deklaruar 250 mijë lekë, nga 150 mijë që është sot. Duke filluar nga Korriku 2022, rrisim gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat e administratës: Rrisim pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandat të tretë. Rrisim pagat e punonjësve të administratës publike me 30% deri në fund të mandat të tretë. Rrisim pagën mesatare në administratë, nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandat të tretë”.

Investimet në infrastrukturë në porte aeroporte dhe rrugë janë të bëra publike dhe fushate, ndërsa vëmendje do t’i kushtohet sipas programit dhe fermerëve, familjeve të reja dhe biznesit të vogël. Për të gjithë programin politik që do të prezantohet pasditen e të enjtes, pasi paradite do të zhvillohet debate për kabinetin qeveritar, çdo deputet ka në dispozicion të debatojë 10 minuta. 

E nëse çdo deputet do ta shfrytëzojë këtë të drejtë votimi i qeverisë së re dhe programit politik pritet të bëhet ditën e premte në fund të seancës maratonë. Në 2017, seanca për qeverinë dhe programin politik zgjati plot 22 orë.