Qeveria ngrin 100 milionë euro në 28 projekte investimesh, nga ujësjellësit tek rrugët dhe emergjencat civile

Qeveria ka ngrirë fondet e investimeve për rreth 28 projekte me vlerë 12 miliardë lekë (100 mln euro) në buxhetin 2022 me qëllim për t’i paraprirë përkeqësimit të mundshëm të stabilitetit fiskal në kushtet e reja që prodhoi lufta në Ukrainë.

Sipas të dhënave nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave fondet janë ngrirë për reformën e ujit, menaxhimin e mbetjeve, emergjencat civile dhe transportin rrugor, detar dhe hekurudhor, fondet për rininë dhe shumë projekte të tjera.

Fondet në statusin “ngrirë” përbëjnë rreth 10 për qind të fondit total të investimeve publike të këtij viti të përcaktuara në aktin normativ nr 3.

Infrastruktura e furnizimit me ujë është më e prekura. Projekti “Reforma e ujit” ishte parashikuar të financohej me rreth 4.3 miliardë lekë, projekti i dytë me vlerën më të lartë të financimit në të gjitha projektet e tjera të investimeve është ngrirë.

Lista e detajuar e investimeve nga Ministria e Financave tregon se janë “ngrirë” fondet në vlerën 1.7 miliardë edhe në transportin rrugor.

Emergjencat civile duket se janë institucioni më i goditur nga ngrirja e fondeve. Edhe pse vitet e fundit, tërmeti, përmbytjet dhe zjarret janë shtuar së tepërmi nga ndryshimet e klimës dhe emergjencat civile kanë nevojë të forcohen me tej, qeveria i ka ngrirë rreth 730 milionë lekë nga buxheti i këtij viti për emergjencat.

Më shumë se 1 miliardë lekë ose rreth 9 milionë euro për programin e menaxhimit të mbetjeve urbanë janë “ngrirë” dhe gjithashtu edhe 100 milionë lekë mbështetje për rininë.

Projekti më i madh i investimeve në këtë vit buxhetor është tuneli i Llogorasë me një financim prej 5,5 miliardë lekësh, për cilin financimi vazhdon normalisht.

Projekti i dytë më i madh është reforma e ujit me vlerë 4,3 miliardë lekë, për të cilën fondet janë ngrirë. Projekti i tretë më i madh për nga financimi buxhetor është kontrata për financimin e koncesionit të rrugës së Arbrit me 2,9 miliardë lekë dhe projekti i katërt më i madh është programi i rrugëve rurale me po 2.9 miliardë lekë.

Deri më tani Ministria e Financave e ka ndryshuar buxhetin 2022 tre herë me akt normativ, teksa po përgatit një akt të katërt ndryshimesh që pritet të publikohet këto ditë, ku do të ketë rialokime shpenzimesh.

Gjatë katër-mujorit të parë të ardhurat buxhetore ishin rreth 300 milionë euro më të larta se fakti i vitit të kaluar, por rreziqet janë shtuar për shkak të rritjes së kostos së borxhit dhe dobësimit të ekonomisë prej krizës së çmimeve të larta./ monitor