Qeveria Franceze i vjen në ndihmë qytetarëve gjatë krizës energjitike

Qeveria franceze do t’u japë një pagesë 100 euro qytetarëve që fitojnë më pak se 2000 euro në muaj për t’i ndihmuar ata të përballen me rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburantit, njoftoi kryeministri francez, Jean Castex të enjten në mbrëmje. Njoftimi vjen ndërsa udhëheqësit kombëtarë të BE diskutojnë krizën e çmimeve të energjisë në Bruksel këtë javë. Tema e çmimeve të karburantit është veçanërisht e ndjeshme në Francë dhe nxiti ndezjen e protestave anti-qeveritare të Jelekëve të Verdhë në 2018. Rreth 38 milionë njerëz do të përfitojnë nga këto para, duke përfshirë punëtorë të pavarur, si dhe fermerë, të papunë dhe pensionistë.

Castex shtoi se pagesat do të dërgohen automatikisht, përmes çeqeve të pagave ose organeve të sigurimeve shoqërore dhe se detajet e plota të masës do të publikohen në ditët në vijim. Shumica e ndihmës, përfshirë punëtorët me rrogë, pritet të paguhet midis Krishtlindjeve dhe Ditës së Vitit të Ri. Nëpunësit civilë duhet të marrin çeqet e tyre në janar, ndërsa pensionistët do të duhet të presin edhe pak, sipas Castex. Ai gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë e kryerjes së pagesave të tilla përsëri në të ardhmen.

Politikanët e opozitës nxituan ta etiketojnë shumën si të pamjaftueshme. Marine Le Pen tha se pagesa nuk do t’i përgjigjet shqetësimit të francezëve që luftojnë për të paguar faturat e tyre dhe i kërkoi qeverisë të ulë taksën e vlerës së shtuar për gazin, energjinë elektrike dhe karburantin.

Castex argumentoi se në të kaluarën, shkurtimet e taksave nuk funksionuan si një “kundërhelm” i menjëhershëm ndaj rritjeve të çmimeve dhe nuk janë të synuara mjaftueshëm për ata që kanë më shumë nevojë për to. Ai tha gjithashtu se një kufi i çmimit për gazin, të cilin ai e ka shpallur muajin e kaluar dhe që supozohej të zgjaste deri në prillin e ardhshëm, do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2022, nëse është e nevojshme.