Qeveria dështon në mbledhjen e të ardhurave/ Deficit 29.2 miliardë lekë

Ministria e Financave ka bërë gati projektbuxhetin e vitit 2020 sipas të cilit të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë 502 miliardë lekë, shpenzimet 531.9 miliardë lekë me një deficit buxhetor 29.2 miliardë lekë. Rritja e të ardhurave pritet të jetë me 16 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i këtij viti, ose rreth 3.3 % më shumë. Shpenzimet do të rriten me ritme më tëulëta prej 2.4%, në raport me vitin e kaluar. Fianancat kanë dështuar në realizimin e pritshmërive pasi gjatë periudhës 9 mujore, janar-shtator 2019, buxheti ka mbledhur 7.8 miliardë lekë më pak sesa plani i parashikuar për të njëjtën periudhë. Të ardhurat në buxhetin e shtetit ishin 343 miliardë lekë, teksa plani vjetor i Ministrisë së Financave sipas ndryshimeve të fundit në aktin normativ të muajit shtator është 386.6 miliardë lekë. Pavarësisht deficiteve në mbledhjen e të ardhurave, Ministria e Financave nuk e rishikoi me ulje nivelin të ardhurave, ndonëse duket pak e besueshme që qeveria të grumbullojë 30 për qind të programit vjetor të të ardhurave në vetëm tre muaj në vijim. Për periudhën tetor-dhjetor qeveria duhet të grumbullojë edhe 143 miliardë lekë ose 47.8 miliardë për çdo muaj të mbetur në raport me rreth 38 miliardë që u mblodhën mesatarisht në çdo muaj për 9 muajt e parë. Edhe gjatë vitit 2018 në dy rishikimet që iu bënë buxhetit u la pandryshuar programi I të ardhurave, nënivelin 464 miliardë lekë, por grumbullimet faktike në vitin 2018 sipas ministrisë së Financave ishin vetëm 459,9 miliardë lekë ose 14 miliardë më pak se programimi.

Projektbuxheti I vitit 2020 parashikon të grumbullojë 3.3 % më shumë se programi i këtij viti, por kjo përqindje duhet të jetë shumë e më e lartë në raportin me faktin, duke e bërë pak të besueshëm realizimin e tij në kushtet kur ekonomia i ka përgjysmuar rritjen dhe burime të reja nuk po duken në horizont.

Qeveria synon të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor përgjatë vitit 2020 duke e përcaktuar atë në nivelin e 29.2 miliardë lekëve, në nivelet e njëjta të angazhimit afatmesëm. Nëse të ardhurat do të rezultojnë më të ulëta sesa plani, për të mbajtur nën kontroll deficitin, qeveria do të detyrohet të ulë shpenzimet, kryesisht ato kapitale./apel.media