Putin dhe Orban duan të përfitojnë nga kriza energjetike/ Çfarë duhet të bëjë BE

Nga Andreas Kluth, Bloomberg

Evropa ndodhet në një krizë të plotë energjetike. Por duket se 2 njerëz po fërkojnë duart nga kënaqësia:Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez Victor Orban. Ata dëshirojnë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi që ofron kaosi dhe ankthi në kontinent për të shpartalluar planet e tyre në Bashkimin Evropian.

BE-ja duhet të shohë përtej këtyre dredhive dhe t’i rezistojë këtyre 2 liderëve autoritarë. Kriza aktuale ka shumë shkaqe, gjë që e bën konfuze dhe kësisoj tërheqëse për demagogët që janë të prirur të përhapin frikën, pasigurinë dhe dyshimin.

Për muaj me radhë ka pasur spekulime se një faktor pas çmimeve më të larta të gazit mund të jetë taktika e Vladimit Putinit i stërvitur dikur nga KGB-ja sovjetike, për të transportuar më pak gaz rus se sa zakonisht në Evropën Perëndimore-edhe pse ende në nivele të mjaftueshme për të respektuar kontratat ekzistuese-dhe duke i lënë rezervat në nivele të ulëta pikërisht në prag të dimrit.

Por pse Putini mund të dëshirojë ta ndërmarrë këtë veprim? Përgjigja është gazsjellësi “Nord Stream 2”.Ai mbështetet nga monopoli shtetëror rus i gazit, Gazprom PJSC, dhe e lidh drejtpërdrejt Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik.

Projekti ka përfunduar tashmë, por gazsjellësi nuk është vënë ende në punë, pasi Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë ende lejet e nevojshme. Po ashtu projekti është vonuar jo pak nga shqetësimet gjeopolitike:Shtetet e Bashkuara, Polonia, Ukraina dhe shumë vende të tjera e shohin atë si pjesë të një strategji të Rusisë për ta anashkaluar Evropën Lindore, ndoshta me synimin për të mbyllur gazin që rrjedh nëpër tubacionet ekzistuese në këtë zonë.

Prandaj nuk ishte ndonjë surprizë kur Putin sugjeroi këtë javë,me “spontanitet” dhe me tone solemne, se Rusia mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve energjitike të BE-së. Shërbëtorët e tij në media,nxituan të shtonin se mënyra për ta bërë këtë do të ishte që Brukseli t’i japë dritën jeshile nisjes së transportit të gazit në Evropën Perëndimore, përmes gazsjellësit të ri“Nord Stream 2”.

Ndërkohë Victor Orban i Hungarisë, po e shfrytëzon krizën energjitike nga një kënd tjetër. Ai ka qenë prej kohësh “djali planprishës”brenda BE-së, duke përdorur Brukselin si një shënjestër të propagandës së tij populiste, nativiste dhe jo-liberale në shtëpi.

Nga ana tjetër ai ka penguar përpjekjet kryesore të Bashkimit Evropian për politikën, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshja e Gjelbër, e cila synon ta bëjë BE-në neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050. Udhëheqësi autoritar shpreson që zgjedhjet e ardhshme të prodhojnë një rezultat të paqartë në mënyrë që ai të vazhdojë të jetë në pushtet.

Instrumenti qendror i Marrëveshjes së Gjelbër është Sistemi i Tregtimit të Emetimeve të BE-së, që mbulon karbonin që lejohet të emetojnë në atmosferë sektorët e ndryshëm industrialë, dhe që më pas i lejon kompanitë të blejnë ose shesin lejet e tyre.

Për të arritur synimin e zero emetimeve të karbonit deri në vitin 2050, ky sistem duhet të zgjerohet për të mbuluar të gjithë ekonominë, dhe pragu duhet të ulet, duke e bërë gjithnjë më të lartë çmimin e karbonit. Orban nuk e pëlqen aspak këtë gjë.

Prandaj këtë javë ai e lidhi çmimin evropian të karbonit me krizën aktuale të energjisë, duke e fajësuar direkt Brukselin për fabrikimin e krizës. “Le të heqim dorë nga Marrëveshja e Gjelbër!”, ishte mesazhi i tij ndaj BE-së.

Deklarata e tij u prit me një reagim të fortë dhe të menjëhershëm nga Brukseli. Por Orban e di se edhe disa shtete të tjera anëtare janë të hapura ndaj qasjes së tij. Evropa do të bënte një gabim katastrofik në rast se do të kënaqte Putinin apo Orban në lojërat e tyre cinike. Rregullatorët e BE-së kanë të drejtë të shqetësohen për gazsjellësin “Nord Stream 2”, pasi ai synon që t’i japë Gazprom-it (dhe kësisoj Moskës) pikërisht atë lloj fuqie në treg, që synojnë të parandalojnë ligjet evropiane.

Për më tepër, frikërat gjeopolitike në lidhje me përdorimin e gazsjellësit nga Putini si një mjet për të shantazhuar Evropën Lindore janë reale. Sa i përket Marrëveshjes së Gjelbër dhe çmimit që ajo ka vendosur ndaj emetimeve të karbonit, ajo është marrëveshja më e mirë që ka arritur kontinenti por edhe bota, për të luftuar ndryshimet klimatike.

Madje ajo duhet të forcohet dhe përshpejtohet në zbatim, dhe jo të kufizohet apo ngadalësohet, me shpresën se vendet e tjera ta imitojnë atë në kohën e duhur. Dhe kjo do të thotë se çmimet e larta dhe ndonjëherë të paqëndrueshme të energjisë, do të jenë me ne në një të ardhme të parashikueshme.

Nuk ka dyshim se këshillat e mia janë pak të dobishme për udhëheqësit e Evropës, teksa ata po përpiqen që të organizojnë një përgjigje të përshtatshme ndaj krizës aktuale. Kostot më të larta të ngrohjes, energjisë elektrike dhe benzinës, do të godasin më shumë evropianët e varfër.

Në rast se nuk merret asnjë masë, i gjithë kontinenti mund të përballet me protesta në dimër si ato të“jelekëve të verdhë”, që e tronditën Francën në vitin 2018, kur qytetarët protestuan kundër çmimeve më të larta të karburantit.

Nëse është e nevojshme, duhet që qeveritë e BE-së t’u japin qytetarëve të tyre para për të plotësuar buxhetet e tyre, siç ishin paketat e ndihmës të dhëna nga disa vende gjatë pandemisë. Madje ky mund të bëhet një mekanizëm i përhershëm, pasi përkrahësit e të Ardhurave Themelore Universale e kanë imagjinuar prej kohësh.

Por ndërkohë Bashkimi Evropian duhet të shmangë veprimet e nxituara dhe të gabuara vetëm për hir të bërjes së diçkaje. As Putin dhe as Orban nuk kanë në mendje interesin më të mirë të Evropës. Një krizë energjetike është një gjë shumë e keqe. Nuk ka aspak nevojë që ajo të kombinohet me të tjerat.