Punonjësit pa rroga : Stakuan energjinë për mijëra banorë, ujësjellës e rafineri, reagon OSHEE

OSHEE ka njoftuar se ka depozituar kallëzim penal për 17 punonjës të stacionit të pompimit të ujësjellësit dhe elektrik në Poçem të cilët në shenjë proteste për mosmarrjen e pagës kanë stakuar energjinë për mijëra banorë dhe objekte të rëndësisë së veçantë.

Stacioni është në varësi të uzinës së përpunimit të naftës Ballsh, ndërsa punonjësit e nënstacionit kanë 27 muaj pa marrë paga dhe sigurime.
Ata u shprehën se protesta e tyre do të vijojë pa ndërprerje, dhe gjithçka që ata kërkojnë është të marrin pagat.

Njoftimi i OSHEE

Ju vëmë në djeni se sot në orën 08:30 është stakuar pa lajmërim dhe në mënyrë të paligjshme NST Poçem 35/6kV asset i Rafinerisë Ballsh ish-ARMO (shoqëri private Bylis Energy) nga punonjësit e kësaj shoqërie.

Si pasojë e stakimit të energjisë, kanë mbetur pa energji 4 linja 6kV të rrjetit shpërndarës të OSSH, të cilët furnizojnë konsumatorët, objektet e rëndësisë së veçantë si Ujësjellësi i qytetit Ballsh, objekte të prodhim shfrytëzimit të Naftës të zonës përrreth, popullatën e zonës si fshatrat Drizar, Kremenar, Kapaj, Selic, Gjerbes, Selic, Ceril, Fratar, Minaz, Kadurov, Bejar, Malas, fshatrat: Drizar, Kud, Corush, Fshati Freskia-Kabina Lamce,Fshatra: Klos, Hekal, Molaj dhe Poçem.

Pa energji elektrike aktualisht janë 2784 abonentë rurale, gjithashtu dhe fiderat të cilet furnizojnë puset e naftës në rafineri.
Ky veprim bie ndesh me ligjin e energjisë elektrike 43/2015 dhe akteve nënligjore të saj, kodin e shpërndarjes dhe rregulloren e shfrytëzimit të pajisjeve dhe impianteve elektrike pasi ka cënuar aktivitetet e rëndësishme të sektorëve strategjikë të shoqërisë OSHEE.

Shoqëria OSHEE Group Sh.A e përfaqësuar në terren nga Drejtoria Rajonale Fier ka bërë kallëzim në organet kompetente si një veprim që cënon integritetin e sistemit shpërndarës të energjisë elektrike në Rajonin Fier.