Publikoi fotografinë me liderin çeçen që është mik i Putinit, ky është shpjegimi i Bernard Berishës

Futbollisti nga Kosova, Bernard Berisha, ka reaguar pas fotografisë së publikuar me liderin çeçen, Ramzan Kadyrov, i cili është përkrahës i madh i Vladimir Putinit dhe agresionit rus ndaj Ukrainës.

Berisha fotografinë e publikoi në llogarinë e tij në “Facebook”, e cila mori reagime të shumta.

Përveç me Kadyrovin, ai gjithashtu publikoi foto edhe me drejtorin gjeneral të klubit Akhmat Grozny, Magomed Daudov.

Nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale Berisha shkruan se fotografinë e ka bërë pasi që ka vazhduar kontratën me klubin.

Ai gjithashtu tha se lideri çeçen e respekton dhe e vlerëson shumë pasi është nga Kosova, si dhe kapiten i skuadrës.

Komenti i Berishës (pa ndërhyrje):

“Njerz te mir pershendetje per te gjith un foton e kam ber ne facebook ngase e kam vazhdu kontraten me klubin un nuk i perkas politikes presidenti me respekton shum dhe me vlersoijn shum ngase un jam nga Kosova dhe jam kapiten i ekipes ju media te dashur flm qe gjithmon e shifni interesin tuaj Zoti ju rujt te gjithve”.

Ramzan Kadyrov nga viti 2017 është president Akhmat Groznyt, ku edhe aktivizohet sulmuesi nga Peja – që nga viti 2017, transmeton gazetaexpress.

30-vjeçari disa fitore ia ka dedikuar liderit çeçen, Ramzan Kadyrovit, teksa sulmuesi nga Kosova për paraqitjet e tij ka marrë edhe shpërblime nga ai, si rasti i një veture.