Projektligji KÇK- Parashikohet përgjimi i të dyshuarve nga policia

KCK, ligji i propozuar nga qeveria në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, parashikon që policia mund të përgjojë këdo, pa një miratim të gjykatës apo prokurorit. Ky ligj i jep pushtet të pakufizuar policisë.

Policia me anë të këtij ligji, do të mund të marrë informacion nga kompanitë private të internetit, telefonit dhe çdo informacion tjetër, qoftë edhe informacionet mbi llogaritë  bankare. Të gjitha këto mund të bëhen pa pasur nevojën e një mandati të lëshuar nga prokuroria, apo gjykata. Gjithashtu kjo e fundit, mund të kontrollojë fizikisht çdo person, vendet publike dhe të mbajë nën vëzhgim sekret këdo, pa mandat.

“Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetem me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart”, – thuhet në projektin kundër krimit të organizuar./ apel.media