Projektin për rehabilitimin e Bylisit/ Ceka vë alarmin: “Duan ta paraqesin Bylisin si një qytetërim grek”

Profesori dhe arkeologu i njohur Neritan Ceka, në një intervistë për Fax News ka hedhur akuza të forta në lidhje me fondet që jep BE në vendin tonë, veçanërisht në sektorin që ai mbulon, në atë të arkeologjisë.

Gjatë bisedës me gazetaren Ceka u ndal në një nga shqetësimet më të mëdha të arkeologëve shqiptarë, projektin për rehabilitimin e Bylisit.

Edhe pse vetë Ceka, është një prej arkeologëve që është marrë prej më shumë se 40 vitesh me qytetërimin e Bylisit, ai është lënë jashtë projektit për rehabilitimin e kësaj zone, pasi projekti i është besuar një studioje në Bolonjë.

Ceka tha se Bylisi është prova që shqiptarët nuk janë të ardhur vonë në trojet tonë, siç pretendojnë tezat greke apo serbe.

“Që në 1978 në Bylis kanë punuar vetëm shqiptarë, i bërë në bashkëpunim mes institutit të arkeologjisë dhe monumenteve, dhe që vazhdon dhe tani, ne kemi një ekip atje që drejtohet nga Luan Bërzhita, jemi unë dhe Skënder Muça që punojmë atje që nga ky vit. Dhe puna e parë që bëri BE dhe instituti i monumenteve ishte si të hiqnin ekipin tonë. Bylis është një kompleks vlerash pasi është një qytetërim ilir nga i cili kemi ardhur ne.

Nuk vijmë nga malet ne shqiptarët që sot jemi kaq të zgjuar, teoria e megalogrekëve dhe serbëve, është që shqiptarët janë të ardhur me vonesë. Ju i dini teoritë e tyre. Në vend që të marrin ekspertizën e institutit të arkeologjisë, shkojnë dhe e marrin ekspertizën në Bolonja.

Në këtë mënyrë ne hapim rrugën që ata të vijnë dhe ti bjenë me sopatë historisë sonë, ne duhet të ruajmë identitetin tonë, këta pseudoprofesorër, kliko në internet dhe për ata nuk ka asnjë libër dhe asnjë artikull, specialiteti i tyre është vetëm që të menaxhojnë fondet e BE-së”, tha Ceka.

Profesori tha se në momentet që flasim nuk ka asnjë person që kryen gërmime në Bylis, dhe se projekti i bolonjezëve synon të tjetërsojë historinë, duke e paraqitur Bylisin si një qytetërim grek.

“Bylisi është kulturë ilire, dhe kjo është vërtetuar përmes historisë, ne i kemi kapacitetet. Pse i bëjmë ne këto? E bëjmë për ti hapur rrugën këtyre projekteve, ku më shumë se 100 mijë euro janë çuar në Bolonja, sot në Bylis nuk gjen asnjë njeri duke punuar. Këta duan të bëjnë një storytelling, që është një përmbysje e historisë shqiptare, sikur Bylis është krijuar nga Neptolemi që ka ardhur nga Troja.

Ne kemi që nga 1978 që gërmojmë, Bylis është vazhdë e një procesi, ka ndikim grek, ne nuk themi që është përpara qytetërimit grek, por ama organizimi i tyre është i identifikueshëm. Këta të gjitha lidhjet e Bylisit i bëjnë me Epirin, këta bolonjezët thotë që Epiri është grek,, Dua të pyes këtë ministren, se nga mbiemri Margariti është çam, ti nga je, je nga Epiri i Epërm apo nga Epiri i poshtëm, me këtë nuk dua të ngre flamurin e Shqipërisë së Madhe”, u shpreh Ceka.

Arkeologu vijoi më tek duke sfiduar edhe publikisht ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, të cilin e fton në një debat, së bashku me ekspertët e ministrisë apo të institutit të Bolonjës. Ceka hodhi dhe idenë e hapjes së një llogarie ku të gjithë shqiptarët të mund të kontribuojnë për rehabilitimin e Bylisit, pa qenë e nevojshme që të priten fonde nga BE, të cilat duket se janë të destinuara për të ndryshuar historinë.

“I gjithë Instituti i Monumenteve, nuk ka botuar aq sa ka botuar një punonjës i Institutit të Arkeologjisë, janë fondacione që janë bërë gati për të futur në xhep fondet që jep BE. Kjo është dhe historia e zotit Soreca, që e kam ftuar në debat publik, dhe nuk ka pranuar.

I kam thënë që të marrë ekspertët e tij, dhe të dalë përpara popullit shqiptar, dhe ti thojë që Bylisi është grek, kaq i kërkojmë ne. Ose ato para të vijnë në Bylis që të bëjmë muzeun, të bëjmë shtëpinë e arkeologëve, dhe të nderojmë BE, dhe kur të vijnë bashkëatdhetarët tuaj, të mos i mbajmë në diell dhe në shi, dhe ta dinë që investimet e tyre shqiptarët të dinë si ti përdorin.

Unë besoj që kam të drejtë ti them popullit shqiptar, që të bëjmë të gjithë investimin, nuk na duhen 6 milionë euro, na duhen 2. Ne kemi qenë europianë qëkur kishim Teatër në Bylis, qëkur kishim stadium, qëkur kishim demokraci.

Ne kërkojmë nga zoti Soreca që të ulet dhe të kontrollojë aktet në të cilat po përgatitet investimi janë të gjitha të falsifikuara. Unë jam një studiues shqiptar, opozita ime e vetme është ajo që thotë se Bylisi është grek. Ose sillini 6 milionë euro dhe të investohen në Bylis, ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë, por nuk mund të shesim historinë tonë”, tha Ceka në intervistën për Fax News.