“Projekti Uniforma Ime ka pasur impakt të madh, u afruan më shumë fëmijë në futboll”

Për të dytin vit radhazi, Federata Shqiptare e Futbollit do të shpërndajë bazë materiale falas për të gjitha klubet dhe akademitë e futbollit në vendin tonë, në kuadër të projektit madhor “Uniforma Im...
“Projekti Uniforma Ime ka pasur impakt të madh, u afruan më shumë fëmijë në futboll”
Foto: “Projekti Uniforma Ime ka pasur impakt të madh, u afruan më shumë fëmijë në futboll”

Për të dytin vit radhazi, Federata Shqiptare e Futbollit do të shpërndajë bazë materiale falas për të gjitha klubet dhe akademitë e futbollit në vendin tonë, në kuadër të projektit madhor “Uniforma Ime”. Klubet dhe Akademitë që e kanë nisur aktivitetin për këtë sezon futbollistik po pajisen tashmë me ritme të shpejta me setet e reja të uniformave të dhuruara falas nga FSHF. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit do të dhurohen rreth 20 mijë uniforma falas për fëmijët që janë pjesë e akademive dhe klubeve të ndryshme.

Një iniciativë tejet e rëndësishme e Federatës Shqiptare e Futbollit, që konsiston në ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet, pa shpenzuar asnjë qindarkë. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Impresionet e atyre që do të përfitojnë nga kjo iniciativë e ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit janë mjaft pozitive, ndërsa pohojnë se ka një rritje të interesit për të luajtur futboll nga fëmijët, të cilët janë shumë entuziastë dhe e kanë pritur shumë mirë këtë projekt.

Ylli Shehu, Përgjegjës i Akademisë së Futbollit të KF Partizani shprehet në një intervistë për fshf.org se ky projekt i FSHF-së ka sjellë një rritje të numrit të fëmijëve që luajnë futboll, ndërsa tregon se edhe fëmijët vetë janë shumë të kënaqur nga dhënia falas e bazës materiale.

“Projekti “Uniforma Ime” i FSHF-së është një vlerësim për fëmijët që stërviten, ndihmë për ta, pasi u jep uniforma dhe bazën materiale që dikur e blinin vetë. Është shumë mirë që FSHF ndihmon për rritjen e brezit të ri, të ketë uniforma. Dhe përveç tyre, na ndihmon edhe ne si klub, që t’i kemi të gjithë fëmijët me uniforma. Të gjithë janë të kënaqur. Dihet edhe pjesa e fëmijëve, kur marrin diçka nga FSHF, kur kanë një stemë të FSHF, është kënaqësi e veçantë edhe për ta.

E shoh te fëmijët që kur marrin bazën materiale janë më të qeshur e më të gëzuar. Partizani ka elementë, ashtu sikurse edhe klubet e tjera. Por dhënia falas e uniformave, edhe ekipeve amatore, ka pasur shumë impakt te fëmijët, duke i afruar më tepër rreth futbollit” – shprehet Ylli Shehu, Përgjegjës i Akademisë së Futbollit të KF Partizani.

“Uniforma Ime” redukton ndjeshëm kostot e familjeve shqiptare, që deri më sot kanë harxhuar mbi 23 mijë lekë për t’i siguruar fëmijëve që luajnë futboll uniforma stërvitjeje dhe loje, ndërsa duke nga edicioni i kaluar futbollistik e në vazhdim ky shpenzim për ta do të zerohet dhe do të përballohet nga FSHF.