Durrësi është shkatërruar 3 herë. Profesoresha e Ndërtimit tregon gabimet inxhinierike

Profesoresha e ndërtimit Luljeta Bozo ka kometuar shembjet e pallateve në Durrës, duke nxjerrë në pah problemet me planimetritë inxhinierike.

Përmes një prononcimi për televizionin “News 24”, Bozo tha se është për t’u dhënë alarmi se si ka ndodhur kjo, pasi Durrësi është shkatërruar tre herë nga tërmetet.

Sipas profesoreshës, në këtë qytet është ndërtuar pranë vijës bregdetare, pavarësisht se bazamentet në këtë zonë janë problematike.

Ajo theksoi më tej se gabimet e inxhinierëve në zbatim dhe projeksion, dalin gjatë tërmeteve.

“Kur këto godina janë shumë afër (bëhet fjalë për plazhin e Durrësit), bazamentet janë problematike. Është për t’u dhënë alarmi se si ka ndodhur kjo. Në plazhin e Durrësit ka një problem, ndaj nuk është ndërtuar për vite me radhe. Durrësi është shkatërruar 3 herë nga tërmetet, është groposur. Në rast të lëkundjeve sizmike, ato prishin strukturën. Toka nuk reagon njësoj. Godinë që pati këtë problem, ku dheu u kthye në llum, ajo nuk u zhyt, por u palos (në Kënetë). Ndoshta kjo gjë ka ndodhur edhe në këto raste, por s’mund ta them me siguri. Duhej të bëheshin analiza të dheut, nëse aty mund të ndërtohej apo jo. Ky studim është bërë nga studiues tanët shumë të mirë para viteve 90. Sipas ndarjes tektonike Durrësi ka qenë problematik. Nëse themelet janë të shëndetshme, strukturat punohen fare normale. Gabimet e inxhinierëve në zbatim dhe projeksion, dalin gjatë tërmeteve. Nëse bëhen ndërtimet me rregulla shumë të qartë, gjerat do ishin ndryshe. Kemi ikur nga 6-katëshi dhe kemi ndërtuar tek 8-10-20 katëshi gati në breg të detit. Ky është një problem në projektim. Edhe nëse ne kemi bazë të fortë, mund të ndodh gërryerja e themeleve pas ca viteve. Mendoj se këto raste janë gabime në projektim dhe zbatim”,- theksoi ajo.

Më tej specialistja e ndërtimeve, u bëri thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen, pasi fenomene të tilla janë normale për Shqipërinë.

“Tërmeti i 21 shatorit, nëse ka dhënë një goditje të parë tek banesat, nëse ka pasur plasaritje, me një tjetër të dobët mund të ishin rrëzuar. Detyrua e organeve shtetërore duhet të bëjë klasifikimin e dëmeve, që të parandalohet situata. Nuk ka pse të ketë panik, sepse tërmete do kemi gjithmonë, pasi këtu jetojmë. Ne jemi në brezin që do të kemi tërmete, duam s’duam ne. Njëherë në kaq kohë do ta ndjejmë një tërmet mbi kurrizin tonë. Duhet të kemi objekte sa më të qëndrueshme”, përfundoi ajo./apel.media