Prezantohet makina e parë shqiptare në ekspozitë, 'Illyrian Pure Sport' do konkurrojë ‘Lamborghinin’ dhe ‘Ferrarin’

Prezantohet makina e parë shqiptare në ekspozitë, 'Illyrian Pure Sport' do konkurrojë ‘Lamborghinin’ dhe ‘Ferrarin’

Makina e parë shqiptare u prezantua dje në ekspozitën TREDITECH, në Torino, Itali.

Supermakina e re “Illyrian Pure Sport” ka një motor 6.2 litërsh LT2 V8 me 840 kuaj/fuqi.

Shpejtësia maksimale pritet të arrijë në 375 kilometra në orë. Ndërsa, çmimi i saj do të fillojë nga 1.2 milion euro deri në 1.7 milion euro – në bazë të specifikave.

“Illyrian TSX” nga “Arrera” konsiderohet automjeti i parë shqiptar i realizuar nga Qëndrim Thaçi, nga komuna e Drenasit, në Kosovë, i cili është rritur në Itali.

Thaçi, themelues i “Arrera Automobil”, është gati që ta promovojë projektin madhor në mbarë globin. “Illyrian Pure Sport” do të jetë makina parë me standarde ndërkombëtare që do të prodhohet në Shqipëri.

Kjo makinë pritet të jetë një rivale e fortë të “Lamborghini Aventador” apo “Ferrari 812 Superfast”.

 
Makina ngjan me “Porsche 9RE”, por ka pjesë edhe nga markat italiane.

Kush është Qëndrim Thaçi, disejnatori i makinës që do të konkurrojë “Lamborghinin” e “Ferrarin”?

 
Disejnatori shqiptar Qëndrim Thaçi, i cili jeton dhe punon në Itali është themelues i kompanisë “Arrera Automobili”. Ai ka emigruar në Itali si fëmijë, bashkë me familjen e tij. Si adhurues i pasionuar i makinave, që nga fëmijëria, ai është certifikuar në shkollën italiane të dizajnit industrial, e njohur si eAD, ndonëse më herët ishte diplomuar në stomatologji.

Thaçi ka qenë i përfshirë në projekte shumë të mëdha, sikurse janë “Ferrari” dhe “Lamborghini”. Tani ai punon për kompaninë TREDITECH, shumë e njohur për prodhimin e makinave të shpejta.

 
“Unë punoj bashkë me TREDITECH që prodhon makinat më të shpejta në botë”, ka thënë ai.

Në vitin 2016, Qëndrim Thaçi themeloi kompaninë “Arrera”.

Pavarësisht prej sfidave të ndryshme, Thaçi arriti ta realizojë ëndrrën e tij të fëmijërisë dhe të prodhojë një supermakinë që pritet të konkurrojë supermakinat më të njohura italiane, si “Lamborghini Aventador” dhe “Ferrari 812 Superfast”.

Thaçi ka treguar se ai e ka vazhduar ëndrrën e tij me mbështetjen e familjes, sidomos me inkurajimin e gjyshit të tij.

“Gjyshi ma ka lënë amanet ta çoj këtë punë deri në fund”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se parim themelor i jetës së tij është puna me nder, siç ka mësuar nga familja e tij.

“Nderin e kam mësuar prej familjes sime shqiptare. Shqiptarët janë shumë të ndershëm. Ne punojmë me nder”, përfundoi ai.