Presidentja Osmani viziton refugjatët afganë: Kosova do të jetë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, Nicholas Giacobbe, ka vizituar refugjatët afganë që janë të vendosur në Kampin Liya.

Përmes një statusi në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë.

Postimi i plotë: 

Sot së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, z. Nicholas Giacobbe ishim në vizitë në Kampin Liya. E rrethuar nga fëmijët afganë që vazhdonin lojën e harenë, edhe pse në tokë të huaj, sot kuptuam edhe njëherë rëndësinë e ngrohtësisë e nivelit të dashamirësisë që duhet ta karakterizojnë një vend që i hap dyert për ata që janë në nevojë.

Dikur ishin vendet e tjera për ne, e sot jemi ne në gjendje të bëhemi shtëpi e përkohshme e atyre që u detyruan të lënë pas shtëpitë e tyre.

Kosova dhe populli i Kosovës do të jenë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë. Ndihemi të nderuar që jemi në gjendje të qëndrojmë pranë aleatëve tanë!