Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Naim Frashëri” arsimtarin Ymer Distafa në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi arsimtarin Ymer Distafa (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim të përkushtimit të jashtëzakonshëm për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar, pas çlirimit të vendit. Në nderim të punës së palodhur në Shëngjergj për përçimin e diturisë dhe edukimin shoqëror e kulturor të brezave të rinj, si dhe për kontributin 40-vjeçar të dhënë si mësues fisnik në fushën e arsimit në këtë zonë.”

Në ceremoninë e organizuar në fshatin Shëngjergj, Presidenti Meta  u shpreh:

“Jam i lumtur që ndodhem, në Shëngjergjin e mrekullueshëm  për të vlerësuar një bir  të shquar të kësaj zone, mësuesin e nderuar Ymer Distafa.

Historia e krahinës së Shëngjergjit është e mbushur me momente shumë  të rëndësishme.

Skënderbeu e ka pasur Shëngjergjin zonë të mbrojtjes dhe të veprimeve të tij luftarake, ndërkohë që më 1572, kjo zonë ishte qendra e kryengritjes kundër Krujës, që mbahej nga otomanët.

Gjatë Luftës II Botërore, në Shëngjergj u formua Brigada II partizane, dhe po gjatë kësaj periudhe, kanë funksionuar 4 spitale për të plagosurit e luftës.

Kjo krahinë antifashiste është dalluar për traditat e saj, të cilat ja kanë kaluar brezave më të rinj dhe gjithmonë ka qenë krenare, për historinë dhe trashëgiminë.

E tillë ishte edhe familja ku u lind Ymer Distafa, një familje patriotike, që e edukoi birin e saj me dashurinë për atdheun dhe njëkohësisht me dashurinë për arsimin dhe dijen.

Këto dashuri të mëkuara që në lindje, bënë që Ymer Distafa të jepte një kontribut të shkëlqyer në fushën e arsimit në fshatin e tij Shëngjergj, pas mbarimit të studimeve.

Dhe po kështu, bënë që, me fillimin e luftës për çlirimin e vendit, Ymer Distafa të merrte pjesë aktive në të, duke e kthyer shtëpinë e tij në një nga bazat e rëndësishme të Luftës dhe në një nga spitalet partizane të zonës.

Me mbarimin e luftës, Ymer Distafa i rikthehet profesionit dhe pasionit të tij: mësimdhënies.

Edhe pse për disa vite, iu ngarkuan detyra të rëndësishme drejtuese në fushën e arsimit, ai kërkoi të kthehej të jepte mësim në zonën që e donte aq shumë, në Shëngjergj.

Kontributi i tij  prej 40 vitesh, për edukimin e brezave të rinj në Shëngjergj ka qenë shumë i vyer dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Në vitet e para pas Çlirimit, ai, punoi me përkushtim për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar dhe më vonë, me përkushtim e energji, formonte nxënësit e tij dhe përçonte diturinë, duke e ngritur arsimin e kësaj zone në nivele të larta.

Edhe pas daljes në pension, deri në ndarjen nga jeta, nuk e ndërpreu asnjë moment aktivitetin e tij shoqëror.

Ymer Distafa iu dedikua edukimit të brezit të ri, me njohjen e historisë së vendit dhe popullit tonë dhe sidomos, për njohjen e ngjarjeve të luftës antifashiste.

Ai kujtohet me respekt e mirënjohje në gjithë zonën e Shëngjergjit, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm e të vyer në fushën e arsimit dhe jo vetëm.

Për gjithçka Ymer Distafa ka bërë për arsimin e për këtë zonë e jo vetëm, kam kënaqësinë ta vlerësoj sot.

Është një titull i veçantë, sepse i jepet ‘Naim Frashëri’,  që mbart emrin e poetit, shkrimtarit, një prej përfaqësuesve  më të ndritur të Rilindjes tonë Kombëtare, bilbilit të gjuhës shqipe, që aq bukur i këndoi mallit e dashurisë për atdheun, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të kombit tonë.

Është gjithashtu një moment i veçantë, sepse ky vlerësim bëhet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, një ditë që shërben për të bërë të njohur rolin thelbësor të mësuesve në edukimin e nxënësve e studentëve dhe në zhvillimin e shoqërisë, përmes një edukimi cilësor dhe gjithëpërfshirës, atë rol që luajti Ymer Distafa gjatë gjithë jetës së tij.

‘Dhe drita e diturisë përpara do na shpjerë!’ – ka thënë  Naim Frashëri.”