Presidenti Meta takon Ramush Haradinaj: Procesi i Berlinit mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal në perspektivën tonë të përbashkët europiane

Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar sot me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Meta shkruan se kanë ndarë në këtë takim vëllazëror urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit dhe kanë nënvizuar rëndësinë e mëtejshme të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Sipas Metës Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.

“I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë.

Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin.

Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.” shkruan Meta.